Pa praninë dhe pa ftesë për Katica Janevën, Këshilli i Prokurorëve Publikë e hetoi punën e Prokurorisë Speciale. Kryetari i Këshillit Petar Anevski, pas mbledhjes doli me akuza të rënda ndaj koleges Janeva. Nuk e akuzoi për parregullsi rreth procesverbaleve gjatë pranimit të materialeve nga Zoran Zaev, por se ka larguar nga ekipi prokuroret Lejla Kadriu dhe Marija Gjorgjevska.
“Të njëjtit më 20 janar, një javë më parë, erdhën në zyrën time dukshëm të shqetësuara dhe të revoltuara për mënyrën se si ishin dëbuar nga Prokuroria Speciale. Duke u thënë atyre se duhet ti dorëzojnë lëndët, pastaj çelësat dhe ti lirojnë zyrat dhe të vendosen te policët. Ata nuk e pranuan atë, u larguan nga puna dhe kështu me radhë”, tha Petar Anevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Alsat M kërkoi përgjigje nga Prokuroria Speciale. Ata dolën me njoftimin:
“Është vërtetuar se për përballjen e këtij vëllimi të punës me të cilin përballet kjo prokurori publike në këtë moment mjaftojë dhjetë prokurorë. Duke pasur parasysh faktin prokuroritë publike nga vijnë prokurorët publikë, ballafaqohen me mungesë të stafit, gjë që u tha edhe publikisht nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, është propozuar në Këshillin e prokurorëve publik, ti shpërndajnë këto prokurorë, në prokuroritë nga të cilat ishin zgjedhur në këtë Prokurori Publike”, njoftuan nga Prokuroria Speciale.
Këshilli do të hetojë nëse prokurorët janë larguar në mënyrë të paligjshme nga ekipi dhe nëse me të vërtetë nuk ka pasur vëllim aq të madh të punës. Anevski e kritikoi Janevën se luftoi të ketë më shumë prokurorë, dhe tani ajo vet i eliminon. Janeva fillimisht kërkoi 14 prokurorë, Këshilli i dha 10, e pastaj gjetën kompromis për 12 prokurorë. Rreth procesverbaleve, Këshilli do të kërkojë nga Prokuroria speciale dokument se sa biseda të përgjuara ka dorëzuar lideri i LSDM-së. Kërkohet shifër e saktë, për shkak se materialet pas përfundimit të procedurave do të shkatërrohen, kështu që është e nevojshme të shihet nëse janë shkatërruar të gjitha. Edhe për këtë parashtruam pyetje në Prokurorinë Speciale nëse do të dorëzojnë procesverbal?
“Deri më sot ne nuk kemi pranuar kërkesë zyrtare nga Këshilli i prokurorëve publik dhe për këtë arsye ne nuk jemi në gjendje në këtë moment t’i përgjigjemi pyetjes suaj”, thanë nga Prokuroria Speciale.
Anevski tha se ditët në vijim do ta thërrasin Janevën që të shkojë në Këshill për të diskutuar mbi këto çështje dhe probleme.
Maja Jovanovska