Katica Janeva zgjedh 14 prokurorë, 4 shqiptarë

Katica-JanevaProkurorja Speciale Katica Janeva publikoi listën e bashkëpunëtorëve të saj që do të angazhohen në Prokurorinë Speciale.

Janeva ka zgjedhur 14 prokurorë, numër i domosdoshëm sipas saj për procedimin efikas të rasteve në kompetencë të Prokurorisë Speciale. Prej 14 prokurorëve të zgjedhur, 4 janë shqiptarë. Artan Ajro, Burim Rustemi, Lejla Kadriu dhe, Fatime Fetai. Prokurorë tjerë janë Gavril Bubevski, Darko Jakimovski, Elizabeta Josifova, , Lençe Ristoska, Lile Stefanova, Lubomir Lale, Marija Gorgeva, Snezhana Bundalevska, Stevço Donev, Trajçe Pelivanov dhe do ta përbëjnë ekipin e prokurores Janeva.

“Dua të theksoj se numri i prokurorëve të propozuar është i domosdoshëm për kryerjen e suksesshme të Prokurorisë Publike Speciale, për këtë shkak pres që Këshilli i Prokurorëve Publikë, duke pasur parasysh afatet e shkurtra për formimin e ekipit në Prokurorinë Speciale, do ta konfirmojë besimin tek kolegët, duke zgjedhur ata si prokurorë publikë në Prokurorinë Speciale”, deklaroi Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Shumica e prokurorëve të zgjedhur vijnë nga prokuroritë themelore kryesisht të Shkupit, por edhe nga Tetova, Gostivari, Kumanova, Koçani e Kriva Pallanka.

Vetëm Lile Stefanova vjen nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht është emri më i njohur për opinionin, për shkak të rasteve në të cilat është angazhuar. Ajo ka përfaqësuar prokurorinë në proceset gjyqësore ‘Spiunazhi’, ‘Likuidimi’, ‘Fallanga 2’, ‘Mashinoprimet’, ‘Vjedhja në muze’, ndërsa është angazhuar edhe si ndihmës prokuror në rastin ‘Puçi’. Aktualisht punon me dosjen ‘Maxhar Telekom’, në procedurë para hetimore.

Burim Rrustemi ka përfaqësuar prokurorinë në dënimin me kusht të 60 vjeçares Feride Bilalli nga Hotla, shtëpia e së cilës ishte bastisur gjatë aksionit policor ‘Monstra’.

Trajçe Pelivanov ka qenë prokuror në rastin kundër mjekut Dejan Stavriq, i cili u arrestua për korrupsion vetëm disa muaj pas organizimit të grevës së mjekëve në vitin 2013.

Darko Jakimovski nga ana tjetër ishte i angazhuar në rastin kundër 20 vjeçarit Naser Eshtrefi nga Gërçeci, i gjykuar për vrasjen e Angell Petkovskit nga Gjorçe Petrovi.

Prokurorët e tjerë janë relativisht të panjohur për opinionin. Prokurorët duhet të votohen nga Këshilli i Prokurorëve me shumicën e Badinterit, më së voni më 20 tetor. Pas formimit të ekipit, Prokuroria Speciale e udhëhequr nga Katica Janeva do t’i marrë në shqyrtim lëndët e para nga Prokuroria Publike.

Benjamin Arifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>