Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka shprehur shqetësimin lidhur me rrethanat që po bëhet gjykimi në rastin “Kumanova”, të cilin e ka konsideruar si shkelje flagrante e të drejtave të personave të privuar nga liria të cilët kanë të drejtë për një gjykim të drejtë, mbrojtje efektive përmes avokatëve që ata vet i zgjedhin e që u garantohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Kështu sipas KMDLNj, nuk po ndodhë me të arrestuarit që po gjykohen për “rastin e Kumanovës” të cilët po torturohen fizikisht dhe psikikisht.
KMDLNj po ashtu ka kërkuar nga autoritetet kosovare të tregojnë interesim për qytetarët e saj që janë arrestuar dhe po gjykohen në Shkup, duke siguruar mbrojtje ligjore sepse e kanë detyrim, duke i vizituar të arrestuarit, duke qenë të pranishëm në sallën e gjykimit dhe duke kërkuar që të arrestuarit të kenë mbrojtje efektive, gjykim të drejtë dhe të ndikuar politikisht e sidomos duhet të angazhohen të parandalohet dhuna ndaj të arrestuarve që po gjykohen tani.
Ja komunikata e plotë:
Familjarë e të arrestuarve dhe atyre që po gjykohen për “rastin Kumanova” para gjykatës në Shkup kanë ardhur në zyrën e KMDLNj-së në Prishtinë dhe kanë deklaruar se anëtarët e arrestuar të familjeve të tyre po gjykohen nën rrethana të kërcënimit, shantazhimit, kushtëzimit dhe dhunës fizike sikur që nuk po u lejohet që ata të mbrohen nga avokatët nga Kosova.
Gjithashtu, ata i kanë deklaruar KMDLNj-së se të arrestuarit nuk përkrahen nga shteti i Kosovës në fushën e sigurimit të mbrojtjes përmes ekspertëve ligjorë dhe se pak ose aspak është punuar nga shteti i Kosovës përkatësisht Ambasada e Kosovës në Shkup në parandalimin e dhunës ndaj të arrestuarve që aktualisht po gjykohen.
Gjendjen e të arrestuarve e përshkruajnë si shumë të rëndë. Ata i kanë deklaruar se të arrestuarit po i nënshtrohen torturës fizike sidomos gjatë transportimit nga qendrat e paraburgimit në Shtip dhe Manastirderi në sallën e gjykatës në Shkup.
Familjarët e të arrestuarve për “rastin Kumanova” kanë deklaruar se nuk kanë marrë ende raport nga obduksioni, as nga pala maqedonase e as nga pala kosovare andaj mendojnë se në të gjitha fushat u janë shkelur të drejtat e njeriut.
Menjëherë pasi ndodhi rasti në Kumanovë ku pati 19 të vrarë dhe shumë të arrestuar, dhunë të policisë dhe ushtrisë maqedonase ndaj civilëve shqiptarë, shkatërrim të pronave të shqiptarëve dhe ka dyshime të bazuara edhe ekzekutive të të zënëve rob, KMDLNj pati shfaqur gatishmëri, interesim dhe vullnet që në kuadër të kompetencave për monitorimin e gjendjes së personave të privuar nga liria në rast se ka dyshime se janë shkelur këto të drejta, t’i vizitojë qendrat ku mbahen të paraburgosur të arrestuarit. Në këtë kontekst përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup i ka plotësuar të gjitha kërkesat e autoriteteve maqedonase që kërkohen për vizita monitoruese duke qenë në gjendje që gjatë 24 orëve nëse u lejohet vizita të shkojnë në Maqedoni. Pala maqedonase nuk e ka refuzuar kërkesën e KMDLNj-së për vizitë por as nuk e ka dhënë pëlqimin për vizita shkaku se të arrestuarit janë torturuar mizorisht dhe kanë pasur shenja të dukshme të dhunës dhe lehtësisht identifikohej terrori policor dhe hetues i ushtruar mbi ta. Ambasada e Kosovës në Shkup ka bërë përpjekje maksimale që të sigurohej leja për vizitë por nuk ka pasur sukses.
KMDLNj ka kërkuar që ekspertët mjeko-ligjorë nga Kosova të marrin pjesë gjatë obduksionit sikur që ka kërkuar që raporti i obduksionit të bëhet publik. KMDLNj ka kërkuar që edhe ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës të bëjnë obduksionin pas dorëzimit të të vrarëve nga pala maqedonase. Me këtë rast KMDLNj konstaton se dorëzimi i të vrarëve (shtetas të Kosovës) nga pala maqedonase e as pranimi në kufirin që i ndanë dy shtete nuk është dashur të bëhej pa e pasur një raport të kompletuar të obduksionit e jo vetëm me një fletpërcjellje siç është vepruar.
KMDLNj ka insistuar që ekspertët mjeko-ligjorë kosovarë të dalin me raport për obduksionin ose së paku ta përmbushin detyrimin ligjorë duke i dorëzuar këtë raport familjarëve, pa lejen e të cilëve nuk do të mund të bëhej obduksioni. Raporti për obduksion është bërë publik nga pala maqedonase përmes disa mediave dhe ai nuk llogaritet si zyrtarë deri sa nuk iu dorëzohet autoriteteve kosovare dhe familjarëve të të vrarëve. KMDLNj pati propozuar gjithashtu se në rast të mos përputhjeve të rezultateve të autopsisë midis ekspertëve maqedonas dhe kosovarë të bëhet një superekspertizë nga ekspertët ndërkombëtarë e që nuk do të kontestohej nga askush. Edhe kjo nuk është bërë.
Monitorues të KMDLNj-së nuk kanë pasur të drejtë (për shkak se autoritetet maqedonase nuk e kanë lejuar) të marrin pjesë në gjykim e as t’i vizitojnë të arrestuarit.
KMDLNj ka kërkuar që gjykimi dhe gjendja e të arrestuarve të monitorohet nga Kryqi i Kyq Ndërkombëtarë, Amnesty International, Human Rights Ëatch dhe Komuniteti i Helsikut i Maqedonisë në ndërkohë që Avokati i Popullit i Maqedonisë e ka të lejuar sipas kushtetutës.
KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon nga autoritetet kosovare të tregojnë interesim për qytetarët e saj që janë arrestuar dhe po gjykohen në Shkup (pa e paragjykuar rastin për fajësinë apo pafajësinë e atyre që po gjykohen) duke siguruar mbrojtje ligjore sepse e kanë detyrim, duke i vizituar të arrestuarit, duke qenë të pranishëm në sallën e gjykimit (ambasadorit të Kosovës i është mohuar një prani në sallën e gjykimit) dhe duke kërkuar që të arrestuarit të kenë mbrojtje efektive, gjykim të drejtë dhe të ndikuar politikisht e sidomos duhet të angazhohen të parandalohet dhuna ndaj të arrestuarve që po gjykohen tani. Autoritetet kosovare dhe Ambasada e Kosovës në Shkup duhet tu ndihmojnë edhe familjarëve të të arrestuarve që po gjykohen aktualisht para gjykatës në Shkup dhe të mos i injorojnë kërkesat e tyre të drejta.
KMDLNj është shumë i shqetësuar për gjykimin që po mbahet në këto rrethana duke e konsideruar si shkelje flagrante e të drejtave të personave të privuar nga liria të cilët kanë të drejtë për një gjykim të drejtë, mbrojtje efektive përmes avokatëve që ata vet i zgjedhin e që u garantohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të drejtave të personave të privuar nga liria në veçanti, nënshkruese e të cilave është Maqedonia dhe ky nënshkrim i ratifikuar në Kuvendin e Maqedonisë ka karakter detyrues për autoritetet maqedonase. Kështu nuk po ndodhë me të arrestuarit që po gjykohen për “rastin e Kumanovës” të cilët po torturohen fizikisht dhe psikikisht. Sikur edhe familjet e tyre./KosovaPress/