Kriza politike në Maqedoni, Mehmeti: Zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje

kim mehmetiBrenda disa ditësh pritet që Maqedonia të ketë kryeministrin dhe qeverinë e re e cila do ta çojë vendin ne zgjedhje të parakohshme të cilat janë parashikuar të mbahen më 24 prill, por ditët e fundit po diskutohet nëse këto zgjedhje duhet të shtyhen.

Për një analizë më të thelluar të zhvillimeve në Shkup, në një lidhje me “Skype” foli për “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, shefi i zyrës së Top Channel në Maqedoni, Kim Mehmeti.

Ai deklaroi se këtë vit do të ketë zgjedhje, por nuk beson se do të ketë zgjidhje. Sipas tij, palët kanë interesa të kundërta, ndërsa partitë që qeverisin aktualisht me Maqedoninë synojnë që të rrinë sa më shumë në pushtet, ndryshe duhet të përfundojnë në burg për shkak të akuzave që janë ngritur ndaj tyre.

Mehmeti gjithashtu tha se ka frikë se dy partitë shqiptare mund të ndikojnë që situata të tensionohet brenda komunitetit shqiptar në Maqedoni, duke shtuar se pret që fushata për këto zgjedhje të jetë shumë e ashpër.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: Sa reale është mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve parlamentare të 24 prillit dhe kujt i intereson kjo shtyrje?

Kim Mehmeti, shef i zyrës së TCH, Maqedoni: janë formuar dy grupe, në njërën anë VMRO-BDI të cilat janë të interesuara sa ma shumë të zvarrisin marrëveshjen e Përzhinos, por nga ana tjetër gjithsesi të mos shtyhen zgjedhjet, pra që këto të mbahen më 24 prill, ndërsa nga ana tjetër është tabori i drejtuar nga LSDM-ja opozitare që kërkon që sa më shpejtë realizohet marrëveshja e Përzhinos, por nga an tjetër nëse është e mundur që të shtyhen zgjedhjet, gjë që ju leverdis partive opozitare. Vlerësimi im është që do të shtyhen zgjedhjet, mirëpo jo edhe aq shumë sepse arsyet janë të dukshme. Marrëveshja për daljen e Maqedonisë nga kriza politike ende nuk është zbatuar, kemi këtu pjesën për mediat dhe pastrimin e listave zgjedhore që është shumë vonë që të arrihen në prill, mirëpo të parashikosh është e pamundur, pasi gjithçka mund të ndodhë.  Besoj se më e mundshme është shtyrja e zgjedhjeve së paku deri në qershor.

Pandi Gjata: Kur pritet që të japë dorëheqjen Nikolla Gruevski dhe kush janë kandidatët që mund ta pasojnë atë në krye të qeverisë?

Kim Mehmeti: Emra ende nuk janë përmendur, por dihet që propozimin e kandidatit do ta bëjë VMRO-DPMNE, që do të thotë se ai do të jetë një njeri i kontrolluar nga Gruevski sepse nuk duhet harruar që Gruevski është para një situate  ku janë shumë burrështetas të tjerë, përfshirë edhe ata të BDI-së,  që në bazë të akuzave ose të përfundojnë në burg, ose të qëndrojnë në qeveri, pasi mund të shpëtojnë vetëm nëse bëjnë këtë të dytën. Kështu që do të bëjnë ç’është e mundur që ta shpëtojnë vetveten dhe tani beteja nuk është më që të shpëtohet Maqedonia, beteja është që se si një pjesë e këtyre burrështetasve të cilët akuzohen hapur për krime, të shpëtojnë vetveten.

Pandi Gjata: A besoni se zgjedhjet janë zgjidhje për krizën politike në Maqedoni?

Kim Mehmeti: kam përshtypjen që Maqedonia e ka arritur kalbëzimin maksimal të saj dhe zgjedhjet do të ketë, por jo zgjidhje. Maqedonia është bërë si një pronë private e dy partive politike VMRO-BDI, ata e mbajnë peng këtë popull sepse të gjitha institucionet shtetërore i shndërruan në institucione partiake dhe tani kërkohet mjeshtëri e madhe se si ku shtet t’i kthehet popullit, aq më tepër kur këto dy parti i ka lidhur edhe fati dhe nuk mund të lejojnë demokratizimin e shtetit sepse i bie që të përfundojnë prapa grilave.

Pandi Gjata: A beson se do të kemi një fushatë të qetë apo të nxehtë në Maqedoni për këto zgjedhje?

Kim Mehmeti: Kjo do të jetë fushata më e ashpër, posaçërisht në shoqërinë shqiptare sepse në shoqërinë shqiptare ndodh diçka më e shëndoshë se në pjesën tjetër. BDI-ja dhe PDSH-ja janë parti të humbura, mirëpo duhet që dikush t’i shtyjë ato përpara, t’i shtyjë që të bien përfundimisht. Ata kanë edhe diçka tjetër që nuk e kanë partitë opozitare, kanë shumë para’ dhe mund të investojnë atë, të cilën e kam thënë edhe publikisht, e që e quaj “njerëz të dhunshëm”. Ata që janë në pushtet nuk kursejnë asgjë për të mbetur në pushtet sepse vetëm ajo mund t’i shpëtojë.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>