Bisedimet për Kodin Zgjedhor në grupin e punës në moment kritik. Siç mëson ekskluzivisht Alsat M nga burime brenda bisedimeve, shkaku për bllokimin e bisedimeve është Ligji për ndalimin e bombave, që është propozuar sot nga partitë në pushtet VMRO dhe BDI.
LSDM-ja ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve për Kodin Zgjedhor vetëm nëse tërhiqet nga procedura Ligji për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara.
Madje opozita kërkon që Ligji të tërhiqet zyrtarisht nga propozuesit, e jo të përfundojë në labirintet parlamentare sikurse Ligji për “branitellat”.Në të kundërtën, partia e Zaevit nuk do të vazhdojë negociatat për Kodin Zgjedhor dhe do ta konsiderojë të dështuar Marrëveshjen Politike të Përzhinos, që sipas burimeve jo zyrtare nga opozita, nënkupton edhe rifillimin e bombave.
Pikërisht ky bllokim ka bërë që rreth orës 18 në Klubin e Deputetëve të arrijë edhe kryeministri Nikolla Gruevski.
Benjamin Arifi