Edhe pse, Aleanca Shqiptare me Alternativa, më herët paralajmëruan se “një koalicion parazgjedhor me VMRO-DPMNE por edhe me LSDM është i mundur ”. Partia në pushtet LSDM zgjodhi BDI që të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale. Marrëveshja u arrit në një takim mes kreut të socialdemokratëve Zoran Zaev dhe atij të BDI-së Ali Ahmeti.
Të dy partnerët e koalicionit qeveritar ranë dakord që të dyja partitë të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale të vjeshtës, me mbështetje të ndërsjellë në disa komuna që në raundin e parë, ndërsa në disa të tjera në raundin e dytë.
“Kisha takim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. U morëm vesh që LSDM-ja dhe BDI-ja të marrim pjesë bashkë në zgjedhjet lokale”, tha lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev. Kryeministri ka potencuar se qëllimi i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së është që në bashkëpunimin parazgjedhor të kyçen sa më shumë parti nga koalicioni qeverisës.
“Në vijim janë procedurat për zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, ata do të jenë personalitete të cilët guxojnë dhe të cilët janë të përgatitur të japin rezultatin më të mirë për qytetarët në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje”, u shpreh Zaev.
Partitë opozitare kërkojnë që zgjedhjet të mbahen më 17 tetor. Sipas tyre afatet kushtetuese rregullojnë datën e zgjedhjeve në përputhje me mandatin e fundit. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se çdo datë tjetër përveç 17 tetorit, bie ndesh me Kushtetutën.
“Zgjedhjet lokale nuk caktohen në bazë të dëshirës së cilit do lider, qoftë ai edhe kryeministër. Zgjedhjet lokale mbahen në përputhje me datat e parapara në ligj dhe Kushtetutë. Ky afat është 17 tetori, çdo datë tjetër përbën shkelje të Kushtetutës”, deklaroi Antonio Milloshoski deputet i VMRO-DPMNE-së.
“Ne e propozuam 31 tetorin, nëse ato mbahen më 17 tetor, fushata përkon me regjistrimin e popullsisë, dhe kjo nuk është e mirë, ne duhet ta shtyjmë regjistrimin deri në fund të shtatorit, pas së cilës fushata mund të fillojë. Por nëse thotë opozita se data 17 dhe të gjitha partitë e tjera bien dakord, edhe ne do të jemi dakord. Fundjava tjetër është 24 dhe 31, këto janë opsionet për tetorin”, thotë kryeministri Zoran Zaev.