Përkrahësit e opozitës nga e diela po qëndrojnë para qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski – mbështetësit e këtij të fundit ngritën tenda para parlamentit.
Pas mitingut të VMRO-DPMNE të hënën mbrëma para Parlamentit në Shkup, disa përkrahës të kësaj partie kanë ngritur tenda përballë Parlamentit, për të shprehur kështu mbështetjen ndaj partisë së tyre. Ata thonë se do të mbeten aty “për ta mbrojtur demokracinë dhe vullnetin e shumicës së votuesve të shprehur në zgjedhje dhe deri sa të mos ketë rrezik nga Lidhja Social Demokrate dhe organizata Soros ndaj institucioneve dhe interesave shtetërore”.
Veprimi i tyre është kundërpërgjigje ndaj mbështetësve të opozitës maqedonase e cila që nga e diela kanë vendosur tenda para ndërtesës së qeverisë, një kilometër larg kundërshtarëve të tyre politikë, në pritje të dorëheqjes së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe qeverisë së tij.
Protesta e së dielës e opozitës dhe mitingu i së hënës i partisë maqedonase në pushtet mblodhën një masë të madhe njerëzish, që nuk mbahet mend, mbase nga pavarësia e Maqedonisë. Por, nëse në protestën e opozitës u pasqyrua një paraqitje shumetnike si simbol i të ardhmes së barabartë të popujve të këtij vendi, kritikët në mitingun e VMRO-së dalluan një paraqitje të forcës përmes fjalimeve të përshkuara nga gjuha e urrejtjes .
Kryetari i partisë dhe kryeministër, Nikolla Gruevski u tha të tubuarve të hënën se “Maqedonia nuk ka nevojë për udhëheqës që e vënë vetën në shërbim të shërbimeve të huaja të zbulimit”, duke ju referuar udhëheqësit të opozitës Zoran Zaev. “Mesazhi ynë është se ne nuk do të tërhiqemi. Ata po kërkojnë dorëheqjen time kundër vullnetit të popullit”, tha Nikola Gruevski
Ai tha se numri i pjesëmarrësve të tubimit është “disa herë më i madh se ai i opozitës”.
Kritikët, ndërkaq, vërejnë se pushteti, si qendror edhe ai vendor u kanë bërë trysni punonjësve të administratës që me doemos të dalin në miting duke sjellë me vete edhe anëtarë të familjes ose miq të tyre.
Në anën tjetër, protestuesit e opozitës të cilët kanë vendosur tendat para ndërtesës së qeverisë për të kaluar netët, thonë se do të rrinë aty deri sa kryeministri Gruevski dhe qeveria e tij të japin dorëheqje.
Kriza në Maqedoni, që filloi menjëherë pas zgjedhjeve të prillit, 2014, pasi Lidhja Social Demokrate nuk i njohu rezultatet dhe ngriti akuza për manipulime, duke bojkotuar si rrjedhojë edhe punën e Parlamentit, u shkallëzua edhe më tej me skandalin e përgjimeve. Opozita thotë se janë mbi njëzet mijë qytetarë të vendit të cilëve u janë përgjuar bisedat telefonike. Në këtë kuadër, opozita posedon përgjime edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët dëgjohen, nga sa është publikuar, duke biseduar për manipulime të ndryshme si në gjyqësor, në zgjedhje, biznese, media, etj.
Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni u takuan të hënën në një raund të dytë për të kërkuar një zgjidhje të krizës politike që ka kapluar vendin, por pa rezultat. Në takimin e ndihmuar nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, Jess Baily dhe Aivo Orav, ende nuk janë hapur temat e bisedimeve; madje drejtuesi opozitar Zoran Zaev ende nuk i quan bisedime.
Të martën në Strazburg do të mbahet një takim midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtuesit opozitar Zoran Zaev, me ndërmjetësimin e tre deputetëve të Parlamentit Evropian. Pastaj më 26 maj, përsëri do të takohen të katër drejtuesit e partive më të mëdha në Shkup.
Kërkesa e opozitës maqedonase ka të bëjë me një qeveri, e cila mund të jetë e përbërë nga ekspertë, nga administrata ose mund të jetë dhe politike, që do ta kthejë vendin drejt normalitetit dhe të krijojë kushte për zgjedhje të parakohshme, siç tha zoti Zaev.
Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz.
Në këtë rajon të njohur për historinë e përgjakshme të konflikteve ndëretnike dhe paqëndrueshmërisë politike, zhvillimet kanë shkaktuar alarm si brenda ashtu edhe jashtë atij vendi. (voa)