Parlamenti i Maqedonisë miratoi qeverinë e re kalimtare, e cila ka për detyrë ta çojë vendin në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të caktuara për më 11 dhjetor.
Në qeveri teknike, bëjnë pjesë edhe dy ministra dhe tre zëvendësminstra të Lidhjes Social Demokrate të opozitës. Oliver Spasovski është ministër i ri i Punëve të brendshme dhe Frosina Remenski, ministre e Çështjeve Sociale.
Kryeministri Emil Dimitriev tha në parlament se pret nga të gjithë pjesëtarët e kabinetit që të punojnë me përkushtim, përgjegjësi dhe me ndërgjegje.
Formimi i qeverisë dhe caktimi me anë të konsensusit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve shikohen si shenjat e para të zgjidhjes së krizës politike që e kishte përfshirë Maqedoninë që nga fillimi i vitit të kaluar me publikimin nga opozita të skandalit të përgjimeve. Por, edhepse për këtë qëllim u formua Prokuroria e posaçme, megjithatë ende asnjë rast nuk ka marrë epilog gjyqësor.
Partitë kryesore dhe komuniteti ndërkombëtar presin një proces të drejtë dhe të besueshëm të zgjedhjeve të 11 dhjetorit. (voa)