Në një votim maratonë pas mesnate, parlamenti maqedonas i dha dritën jeshile riorganizimit të qeverisë së vendit fqinj, në mënyrë që në të përfshihen edhe ministra të Aleancës për Shqiptarët, e cila është bërë pjesë e mazhorancës.
Kësaj partie i kalon portofoli i ministrisë së Drejtësisë, në krye të të cilës është vendosur Krenar Lloga, ministria e shëndetësisë frerët e të cilës i merr Fatmir Mexheti, ajo e Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike që do të drejtohet tashmë nga Azir Aliu, ndërsa u ndryshua dhe kryesimi i ministrisë së Ekologjisë që merret nga Kaja Shukova.
Ndryshimet janë miratuar me 65 vota nga 120 ligjvënës që janë gjithsej. Riorganizimi i ekzekutivit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski erdhi pas afrimit Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar prej partive në pushtet, Lidhjes Social Demokrate (LSD) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Kryeministri Dimitar Kovaçevski e argumentoi nevojën për zgjerim me idenë e forcimit të shumicës në mënyrë që të vazhdohet pa pengesa kursi i vendit drejt integrimit europian.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së e bllokuan për dy javë zgjedhjen e ministrave, duke penguar kështu punën e ministrive të caktuara në dëm të qytetarëve, që në fund, siç ka ndodhur shumë herë më parë, kur erdhi koha e votimit, as nuk votuan kundër propozimeve që ata kritikuan aq shumë”, thuhet në një deklaratë të LSDM-së.
VMRO DPMNE-ja pretendon se zgjerimi i shumicës është bërë për “të shpëtuar qeverinë dhe jo për hir të kursit europian të vendit”. Mazhoranca maqedonase synon ndryshimin e kushtetutës për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj, një detyrim ky që rrjedh nga marrëveshja e Shkupit me Sofjen për zhbllokimin e procesit të integrimit europian të vendit, ndërkohë që për të ndryshuar dokumentin themeltar nevojiten dy të tretat e votave, apo të 80 nga 120 vota të deputetëve, ndërkohë shumica tani ka vetëm 65.
Top Channel