Mbizotërojnë paqartësitë në Maqedoni

shtepi e shkatruar 2Autoritetet maqedonase nuk japin shumë hollësi në lidhje me identitetin e personave të vrarë, të cilët thotë se i përkasin grupit të armatosur, në përleshjet e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë, ndërkohë që thonë se tre nga pesë udhëheqësit e grupit janë arrestuar.

Sipas organeve hetuese, sulmuesit synonin, mes tjerash, të minonin Urën e Gurit mbi lumin Vardar. Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se do të dëmshpërblejë pronarët e shtëpive të dëmtuara. Ndërsa, diplomatët perëndimorë po përpiqen të ulin tensionet në Maqedoni.
Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur emrat e disa prej atyre që besohet të ishin pjesëmarrës në përleshjet e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë me forcat qeveritare maqedonase.

Autoritetet flasin për një pjesë të drejtuesve të grupit që janë arrestuar dhe, supas tyre, ata janë Muhamet Krasniqi i njohur si komandant Malisheva, Sami Ukshini apo komandant Sokoli dhe Demë Shehu i njohur si komandant Juniku.

Ndërkohë, zyrtarisht nuk thuhet gjë për katërmbëdhjetë trupat e gjetur, sipas policisë, pas operacionit në Kumanovë, por mjete të informimit të afërta me pushtetin spekullojnë se në mesin e të vrarëve të jetë dhe ai, që shërbimet maqedonase të zbulimit e konsiderojnë si udhëheqës të grupit, Mirsad Ndrecaj. Zyrtarët maqedonas thonë se po bëhet identifikimi nga mjeksia ligjore i personave të vrarë.

Nga ana tjetër, në Shkup janë shtuar debatet nëse grupi i armatosur, të cilin zyrtarët e këtushëm e quajnë terrorist, ishte i manipuluar nga qarqe qeveritare të Shkupit për të krijuar një lloj destabiliteti që do të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik nga kriza reale politike, apo të ishin mercenarë të paguar nga shërbime serbe dhe ruse, ose luftëtarë të kauzës kombëtare.

Faktori politik shqiptarë, si në Maqedoni dhe rajon, e ka dënuar dhunën dhe përpjekjet për destabilizimin e Maqedonisë që nuk përkon, sipas tyre, me interesin e shqiptarëve.

Ndërkohë, diplomatët me ndikim në Maqedoni janë angazhuar për të qetësuar gjendjen në këtë vend. Pas takimeve të djeshme me presidentin dhe kryeministrin , ambasadorët e SHBA, BE, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë e pritën në zyrat e Bashkimit Evropian në Shkup, Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ambasadori italian duke folur në emër të të gjithë kolegëve, tha se BDI-ja mban përgjegjësi për avancimin e vlerave dhe parimeve demokratike. Ambasadori Ernesto Belelli tha se BDI-ja e ka për detyrë të ndihmojë institucionet e vendit dhe të sigurojë hetimin e plotë, transparent dhe të besueshëm mbi manipulimet e zbuluara nga përgjimet.

“Tani, më shumë se kurdoherë BDI duhet të marrë qëndrim dhe të shfrytëzojë ndikimin e saj për të mirën dhe ardhmërinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, theksoi ambasadori italian në Shkup.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti iu shmang gazetarëve pas takimit. Drejtuesit e dy partive kryesore shqiptare nuk kanë shkuar për t’i parë banorët e dëmtuar në Kumanovë, ndërsa në Kumanovë dje shkoi Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate maqedonase, i cili u mirëprit nga banorët shqiptarë të lagjes.

Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë ka premtuar se do të dëmshpërblejë pronarët e shtëpive që u dëmtuan gjatë operacioneve në Kumanovë. Është formuar një komision qeveritar për vlerësimin e dëmeve dhe premtimet janë që dëmshpërblimi i pronave të paluajtshme dhe të luajtshme të bëhet njëqind për qind. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>