Të enjten përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Enti i Statistikave pret që numri i banorëve rezidentë të arrijë në 1 milion e 850 mijë. Ndërkohë, si banorë jorezidentë në diasporë janë regjistruar pak mbi 200 mijë shtetas të këtij vendi.
E enjtja ishte dita e fundit e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Procesi filloi më pesë qershor dhe deri tani sipas Entit Shtetëror të Statistikave janë regjistruar mbi 1 milion e 813 mijë banorë brenda vendit. Zëvendësdrejtori i Entit të Statitikave, Ilmi Selami thotë se pritet që ky numër deri në fund të ditës së sotme të arrijë në 1 milion e 850 mijë.
Ndërkohë, numri i banorëve nga Maqedonia e Veriut të regjistruar në diasporë është pak mbi 200 mijë. Këta të fundit regjistrohen si banorë jorezidentë, por përfshihen në numrin e përgjitshëm të banorëve. Në diasporë më së shumti janë regjistruar në Zvicër, rreth 65 mijë, në Gjermani rreth 46 mijë dhe në Itali mbi 28 mijë.
Ndërkaq, një numër banorësh brenda vendit janë ankuar se nuk u kanë shkuar regjistruesit në shtëpi për t’i regjistruar dhe autoritetet hapën zyra të posaçme nëpër komuna për t’i regjistruar ata. Nga ana tjetër, opozita shqiptare kërkon që procesi të zgjatet edhe për disa ditë. Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas njoftimeve për mosregjistrimin e një numri familjesh, ndërsa dyshon se politika dhe qeveria po përzihet në këtë proces. Enti i Statistikave, ndërkohë nuk lë të kuptohet nëse mund të zgjatet procesi ose jo.
Censusi është i detyrueshëm dhe personat të cilët refuzojnë të regjistrohen apo nxisin bojkotin do të bartin përgjegjësi penale.
Maqedonia e Veriut nuk ka bërë census që nga viti 2002. Operacioni i madh statistikor megjithatë është shikuar gjithnjë nga prizmi politik, pasi vetë Kushtetuta e vendit përcakton të drejtat e një komuniteti etnik mbi bazë të përqindjes që përbën.
Në censusin e fundit shqiptarët përbënin 25,16 % të popullsisë.
voa