Me duhej vetëm të zëvendësoja fjalën Serbi me Maqedoni e Veriut, për të zbuluar se sa kuptim do të kishte ky shqetësim i qeverisë Kurti, sikur të ishte adresuar edhe për shqiptarët në ish IRJM. Për të kuptuar dyfytyrësinë e qeverisë së Albin Kurtit në qasjen që ka ndaj çështjes kombëtare të shqiptarëve në ish IRJM!
Sikur qeveria e Kurtit në mënyrë të sinqertë të shqetësohej po aq sa shqetësohet deklarativisht për shkeljen e të drejtave themelore të shqiptarëve që jetojnë në jugun e Serbisë, nuk do të bënte mbledhje të përbashkët me qeverinë e Mickovskit, duke folur gjithë kënaqësi dhe entuziazëm për “fqinjësi, miqësi, partneritet, tregti në rritje…”. Në vend të kësaj do të kërkonte që 30% shqiptarëve në këtë shtet t’u jepej jo vetëm e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe me ligj, por përmes ndryshimeve të menjëhershme të kushtetutës, të gjithe të drejtat kolektive që u takojnë, si grupi i dyte më i madh etnik në shtet. Në vend se Albini të mjaftohej me sqarimin e zellshëm se gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë zyrtare në pushtetin që e pezulloi atë me dhunë dhe gjak më 1945, bashkë me të gjitha të drejtat e tjera kolektive të shqiptarëve, dhe me besim të plotë të priste nga Gjykata Kushtetuese e ish IRJM “vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët “ku s’ka diskriminim dhe as përjashtime për shqiptarët”, ai do të kërkonte që shqiptarët si grupi i dytë më i madh në këtë shtet, të jenë plotësisht të barabartë me grupin etnik të “maqedonasve”, përmes ndryshimeve urgjente kushtetuese e jo me ligje tallëse për shqitparët në ish IRJM.
Sa kuptim do të kishin këto fjalë në foto për situatën e shqiptarëve në ish IRJM, sikur qeveria Kurti të kishte një qasje të sinqertë, vëllazërore për çështjen kombëtare të shqiptarëve në ish IRJM!
Afrim Fanda