Aktualisht, 207 vendbanime në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur thuajse pa banorë, për shkak të shpërnguljes së tyre, kryesisht jashtë vendit. Këto të dhëna përmban raporti mbi regjistrimin e popullsisë që u prezantua më 30 mars, nga Enti Shtetëror i Statistikës. Sipas të dhënave, Maqedonia e Veriut, ka rreth 1.8 milion banorë apo rreth 10 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2002.
Shpërngulja e popullatës ka ardhur si pasojë e mungesës së kushteve elementare për jetë normale dhe këtë e thotë edhe Cane Maleski, pensionist nga Rostusha e Komunës së Mavrovës, fshat ky që ka mbetur me më pak se 200 banorë nga rreth 1,700 sa kishte vite më parë.
“Tetëdhjetë për qind e atyre që kemi mbetur jemi pensionistë. Të gjithë kanë ikur jashtë, kush në Itali, Gjermani e vende tjera. Këtu nuk ka kushte për jetë normale, nuk punë, nuk ka infrastrukturë, nuk ka asgjë. Çfarë të bëjë rinia patjetër e kishte të ikë nga ky vend që nuk ka asnjë perspektivë”, thotë Maleski.
Naim Ajrullau, nga Komuna e Sarajit në Shkup thotë se fshatrat më të thella të kësaj komune shumë shpejt do të mbeten pa asnjë banor.
“Familja jonë këtu numëron 116 persona dhe prej tyre kemi mbetur vetëm 16 veta. Të gjithë të tjerët janë shpërngulur, kanë lënë shtëpitë, tokën, nënën babanë dhe po të vdesë ndonjëri prej tyre ata më nuk i shohin”, thotë Ajrullau.
Të dhënat mbi uljen e numrit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut për rreth 185 mijë banorë janë shqetësuese, por edhe të pritshme nëse merret parasysh gjendja ekonomike, papunësia dhe mungesa e kushteve për një jetë normale, por edhe ulja e lindshmërisë, thotë Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike duke komentuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë.
“Kjo shifër lidhet me më shumë faktorë dhe në radhë të parë sigurisht se ndërlidhet me uljen e lindjeve krahasuar me 15 apo 20 vitet e kaluara dhe faktori tjetër që mund të jetë më i rëndësishëm është ai migrimit apo i largimit të gjeneratës më vitale. Numri më i madh i atyre që ikin janë persona të kualifikuar si mjekë, dentistë, infermierë dhe të profesioneve tjera dhe besoj se theksi kryesor qëndron te kualiteti i jetesës dhe te mos funksionimi i institucioneve”, thotë Halili.
Donçe Gerasimovski, njohës i çështjeve demografike, thotë se tkurrja e numrit të popullsisë është shqetësuese, pasi sipas tij, nëse nuk ndërpritet ky fenomen, Maqedonia e Veriut mund të përballet me probleme të shumta.
“Shpërngulja e popullatës paraqet problem serioz dhe kjo ndodhë para se gjithash për arsye ekonomike, sociale, të sigurisë por edhe për shkaqe tjera. Por, mbi të gjithë është një e drejtë e atyre që këtë e bëjnë. Ata duan të kenë një jetë më të mirë dhe këtë e bëjnë kur shteti ku jetojnë nuk u siguron kushte që të mos largohen nga vendlindja. Si pasojë e kësaj, popullsia këtu do të plaket, do të ulet lindshmëri, ndërsa do të kemi vdekshmëri më të lartë dhe rrjedhimisht do të ulet numri i banorëve. Mund të mbetemi edhe pa fuqi punëtore”, thotë Gerasimovski.
Sipas tij, institucionet duhet të ndërmarrin masa konkrete për ngritjen e standardit të jetesës, por edhe të mos përsëritet rasti që vendi për 20 vjet mos e regjistrojë popullsinë.
“Për 20 vjet kanë ndodhur shumë ndryshme, ne këtë tani po e ndiejmë, prandaj puna e parë që duhet të bëjnë institucionet është që të bëjnë gjithçka që regjistrim të popullsisë të kemi në çdo 10 vjet, ashtu siç bëhet në gjithë Evropën. Regjistrimi është një proces i rëndësishëm pasi në bazë të të dhënave hartohen politikat buxhetore, ekonomike, sociale, arsimore, detektohen zonat më pak të zhvilluara që të mund të investohet, intervenohet në zonat ku ka shpërngulje e kështu me radhë”, thotë Donçe Gerasimovski, njohës i çështjeve demografike.
Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se Qeveria gjithashtu duhet të punojë në ngritjen e cilësisë në funksionimin e institucioneve, depolizitimin e tyre dhe motivimin e gjeneratave të reja me kushte më të mira arsimimi, specializime, kurse intensive, ngritjen e infrastrukturës në zonat rurale, investime dhe lehtësi në veprimtari afariste.
rel