Në seancën e sotme qeveria vendosi për shkurtimin e orës policore sipas vendimit të Qeverisë, të shtunën dhe të dielën qytetarët do të mund të lëvizin prej orës 05:00 deri 19:00.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë 24 orëve të shkuara janë bërë 242 teste dhe janë regjistruar 14 raste të reja të personave të infektuar me covid-19 , e ndarë në qytete: 5 të infektuar janë regjistruar në Shkup, 2 në Prilep, 1 në Tetovë dhe 6 në Veles, fatkeqësisht, u regjistruar edhe një viktimë.
Gjithashtu Ministri i Shëndetësisë , Venko Filipçe, kërkoi nga drejtuesit e bashkësive fetare që t’i përmbahen ndalimit të shfrytëzimit të objekteve për ritet fetare – masë kjo e ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Deklarata e tij erdhi pasi Bashkësia Fetare Islame tha se xhamitë do të hapen nga dita e martë, më 12 maj.
“Të premten kam biseduar me kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame, si dhe me kreun e Kishës Ortodokse Maqedonase. Nga të dy kam kërkuar që t’iu përmbahen masave në interes të shëndetit të qytetarëve dhe të mos organizohen tubime të qytetarëve. Dua t’i rikujtoj se ende është në fuqi ndalesa për tubim të më shumë se dy personave. Apeloj te të gjitha bashkësitë fetare dhe mbështetësit e tyre që të parandalojnë çfarëdo organizimi ose tubimi derisa masat janë në fuqi”, tha Filipçe, duke theksuar se çdo papërgjegjësi e individëve apo papërgjegjësi e institucioneve fetare mund të përkeqësojë gjendjen me “pasoja të paparashikueshme”.
“Besoni se çfarëdo sjelljeje e papërgjegjshme e ndonjë individi ose ndonjë grupi, mund të na kthejë në fillim të krizës dhe ta thellojë të njëjtën. Kjo do të reflektohet në funksionimin jo vetëm të sistemit shëndetësor, por edhe të shtetit në përgjithësi”, tha Filipçe.
Bashkësia Fetare Islame njoftoi vendimin për hapjen e xhamive duke u bazuar në, siç tha, “përmirësimin e gjendjes shëndetësore në vend, uljen e numrit të të infektuarve nga Covid-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi)”, si dhe duke vlerësuar “kërkesat e 13 myftive, të cilat janë të bazuara në kërkesat e besimtarëve”.
Ky vendim u mor edhe pas njoftimeve për një manifestim kishtar në Strugë, që, siç u tha, nxiti kërkesën e tyre për hapjen e xhamive.