Nesër 14 vjetor i Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshja që duhej të mbyllej në vitin 2004

marreveshja-e-ohritNesër  mbushen 14 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni.

Marrëveshja e Ohrit, e cila u arrit me shumë vështirësi dhe me ndërmjetësimin e të dërguarve nga Uashingtoni dhe Brukseli arriti t’i japë fund një konflikti pesë mujor në fshatrat e Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore e ushtarake të Qeverisë së IRJM.

Kjo marrëveshje  e firmosur 10 vite më parë duhej të mbyllej në vitin 2004 dhe këtë e kishte deklaruar vetë lidieri i BDI-së dhe ish-shefi politik i UÇK-së, Ali Ahmeti.

Partia e tij nga periudha e luftës e deri më sot ka udhëhequr me gjitha pushtetet, me përjashtim të periudhës 2006 – 2008.

Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje në praktikë përballet me shumë sfida. Partitë shqiptare akoma janë të pakënaqura për shkak të mospërmbushjes së saj.

Realizimi i plotë i kësaj marrëveshje nuk ka ndodhur në shumë institucione të vendit, sa i përket rritjes së përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore, transmeton INA.

Probleme në realizimin e saj shkaktohen edhe në aspektin e zbatimit të saj praktik, përmes respektimit të ligjeve.

Ligji për gjuhët dhe flamurin, zyrtarizon pjesërisht si gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, duke mos përfshirë tërë territorin e vendit.

Gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët janë mbi 20 për qind, ndërsa akoma nuk behet implementimi i saj në institucione qendrore. Ligji për përdorimin e flamurit mundëson përdorimin e tij në komunat ku shqiptarët janë mbi 50 për qind, por me ndryshimet e fundit ligjore flamuri shqiptar është me përmasa tre herë më të vogla për dallim nga flamuri shtetëror maqedonas.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që u formua një vit pas konfliktit nga struktura ushtarake e UÇK-së vazhdimisht bazohet në këtë Marrëveshje, duke nënvizuar se janë bërë arritje të mëdha tek shqiptarët.

Por, kjo parti dhe kuadrot e saj rreth 10 vite në pushtet që nga konflikti kanë dështuar në realizimin e saj dhe se tani edhe ata shfaqen të pakënaqur.

Ndërsa, opozita shqiptare vazhdon të shprehë kritika ndaj kësaj marrëveshje, duke e vlerësuar si të parealizuar dhe të skaduar, pasi që nuk ka ndodhur zbatimi i saj i plotë tashmë 12 vite nga përfundimi i konfliktit.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon t’i japë një mbështetje të fortë marrëveshjes. Marrëveshja kornizë u arrit më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Ohër, të cilën e firmosën ish-presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, ish-lideri i VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministri Lubço Georgievski, kryetari i PPD-së Imer Imeri, kryetari i PDSH-së Arbër Xhaferi dhe kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Garantues dhe firmosës së marrëveshjes ishin edhe përfaqësuesit special të SHBA-ve dhe BE-së, Xhejms Perdju dhe Fransoa Leotar. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>