Tre shtetasit bullgarë të ndaluar një ditë më parë nga policia e vendit në vendkalimin me Bullgarinë, Deve Bair, janë gjobitur me nga 300 euro dhe u është ndaluar hyrja në Maqedoni për tre vjet. Në kumtesën e policisë thuhet se tre personat e moshës nga 35 deri 54, fillimisht verbalisht, paturpësisht dhe me sjellje të pahijshme, kurse më vonë edhe fizikisht, janë përpjekur t’i sulmojnë policët të cilët kanë vepruar sipas detyrës.
“Më datë 04.02.2023 rreth orës 12:45 në pikën kufitare Deve Bair ka ndodhur shkelje e rendit dhe qetësisë publike nga shtetasit bullgar G.A.Z (35), A.A.H (50) dhe R.P.H (54), të cilët fillimisht janë sjellë verbalisht, në mënyrë të vrazhdë dhe të papërshtatshme, me fjalë përçmuese, e më pas kanë tentuar të sulmojë fizikisht policët të cilët po kryenin detyrën zyrtare. Personat janë ndaluar, ndërsa gjyqtari në Gjykatën Themelore të Kriva Pallankës u ka shqiptuar masën e dëbimit për të huajt dhe ndalimin e hyrjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut në kohëzgjatje prej tre vitesh”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Media bullgare BNT informon për gjithsej 14 shtetas bullgarë të cilët, sipas tyre, janë ndaluar nga policia maqedonase dhe u është ndaluar hyrja në vend, megjithatë Ministria e Punëve të Brendshme nuk e konfirmon këtë numër. Ministri Oliver Spasovski e ka cilësuar si profesionale punën e djeshme të policisë.
“Si para varrit të të madhit Dellçev në kishën “Sveti Spas”, si dhe në pikat kufitare, policia maqedonase në nivel të detyrës e realizoi me sukses këtë ngjarje me nivelin më të lartë të sigurisë – shembull i mrekullueshëm se si vepron policia e nivelit evropian… Policia maqedonase nuk do të lejojë poshtërimin e popullit maqedonas!”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Zhvillimet e një dite më parë nxehën gjakrat në Shkup dhe në Sofje. Ngjarja për shënimin e ditës së lindjes së Goce Dellçevit kaloi kryesisht e qetë në Shkup por me shumë përforcime policore dhe me grupe qytetarësh të cilët ishin të detyruar të presin me orë përpara se t’u lejohet qasja te varri i Dellçevit. Pavarësisht paralajmërimeve, në Shkup arriti vetëm një delegacion zyrtar nga Sofja, i kryesuar nga Ministri i Brendshëm për të dhënë nderime. Qytetarë të tjerë u ndaluan nga policia në kufi, me arsyetimin e problemeve me softuerin kontrollues. Pjesa më e madhe e tyre nuk e kaluan kurrë kufirin edhe përskaj përplasjeve me policinë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë e vlerësoi këtë akt si poshtërues.
“Ministria e Punëve të Jashtme e cilëson sjelljen e qeverisë në Maqedoninë e Veriut si poshtëruese dhe të papranueshme ndaj popullit bullgar dhe Republikës së Bullgarisë. Veprimet e autoriteteve në Maqedoninë e Veriut shkaktuan dëme serioze në procesin e rikthimit të besimit, përkundër përpjekjeve të kryeministrit Galab Donev, i cili inicioi një situatë deeskalimi në një kohë komplekse, dhe të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev, i cili pikërisht për këtë qëllim e vizitoi Shkupin më 30 janar të këtij viti, si dhe sot”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Ministria e Punëve të Jashtme në vend kumton se Bullgaria, nuk ka bërë pjesën e saj që ka premtuar për të parandaluar zhvillimet e një dite më parë.
“Me keqardhje konstatojmë se … individë radikalë, përfaqësues të organizatave dhe partive politike në Bullgari vazhdojnë të shprehin pretendime territoriale ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe cenojnë vazhdimisht dinjitetin e qytetarëve maqedonas, të popullit maqedonas dhe të vendit tonë. Edhe përskaj vullnetit të shprehur, Republika e Bullgarisë nuk bëri përpjekje të mjaftueshme për të penguar hyrjen e individëve radikalë në pikën kufitare Deve Bair, duke u mundësuar në këtë mënyrë disave prej tyre të sillen në mënyrë agresive, të ofendojnë dhe të ushtrojnë dhunë ndaj përfaqësuesve të policisë kufitare”, theksuan nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme e vendit thotë se do të informojë Parlamentin Evropian për sjelljen e papërshtatshme dhe ofenduese të eurodeputetit bullgar, Aleksandar Jordanov në rrjetet sociale. Jordanov kishte përdorur gjuhë ofenduese, pas zhvillimeve të djeshme.
“Nuk ka të ardhme për mbetje të tilla komuniste si ju titoistët, mbeturina të kuqe, të fiksuar jugosllavë. Do të rrini në portat e Evropës për një kohë shumë të gjatë. Ju do të gjunjëzoheni para tyre derisa të kalben kungujt për të vërtetën historike se jeni trashëgimtarë të turpshëm të bullgarëve të denjë maqedonas”, tha Aleksandar Jordanov, eurodeputet bullgar.
Pas zhvillimeve të djeshme, mbrëmë është thyer me gurë xhami i klubit maqedonas “Nikolla Jonkov Vapcarov” në Bllagoevgrad të Bullgarisë. Organizata kërkon nga autoritetet bullgare të zbardhin rastin.
alsat