Opozita maqedonase nuk njeh rezultatin zyrtar të zgjedhjeve

zgjedhjet-mkdNë Maqedoni, Lidhja Social Demokrate (LSDM) e opozitës nuk e njeh rezultatin e shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, sipas të cilit ajo ka marrë 49 vende, kurse partia rivale VMRO-DPMNE, 51 vende në parlament.

Socialdemokratët pretendojnë të marrin një vend më shumë në zonën e gjashtë zgjedhore pas ankesave që do të paraqesin. Edhe Lëvizja Besa ka paralajmëruar ankesë për parregullsi në zgjedhjet e së dielës.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të së dielës duket se ua kanë shtuar shqetësimet partive më të mëdha në Maqedoni, ndërsa vështirë parashikohen variantet e partneritetit në një koalicion të ardhshëm qeveritar.

Partia VMRO-DPMNE, e cila ka dhjetë vjet në pushtet, fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet e parakohshme, me gjithsej 51 vende në parlament.

Por, Lidhja Social Demokrate nuk e njeh rezultatin. Kryetari social-demokrat, Zoran Zaev foli sot para medias në lidhje me zhvillimet rreth zgjedhjeve të së dielës, duke thënë se duhet të respektohet vullneti i shumicës së votuesve, të cilët nuk dëshirojnë, siç tha, që vendi të drejtohet nga kriminelë. Qytetarët duan ndryshime; e mundëm regjimin me stilolaps dhe me votë, përsëriti zoti Zaev. Ai theksoi dëshirën e shumë qytetarëve për një Maqedoni shumë-etnike.

Zaev u shpreh me vendosmëri se Nikolla Gruevski nuk guxon, nuk mundet as nuk duhet të formojë qeveri. Ai tha se rezultatet e para të shpallura mbrëmë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i habiti qytetarët, ndërsa LSDM pretendon se mandatet e ligjvënësve të partisë së tij dhe të VMRO-DPMNE-së janë njësoj, 50 me 50.

Zoti Zaev paralajmëroi ankesë tek KSHZ për parregullsi në zonën e gjashtë zgjedhore (që përfshin Tetovën, Gostivarin, një pjesë të Dibrës dhe Kërçovës) ku pret të fitojë një post më shumë në parlament.

Ai u bëri thirrje të gjitha partive, përveç VMRO-së, që kanë fituar mandate deputetësh në parlament, që ta respektojnë vullnetin e shumicës. Por nga KSHZ nuk mendojnë të ketë pasur parregullsi të asaj natyre që do të ndikonte rezultatin.

Zoran Zaev pohoi se ka komunikim në nivel shtabesh zgjedhore me partitë shqiptare, ndërsa nuk saktësoi konkretisht nëse i ka bërë ftesë Bashkimit Demokratik për Integrim për formimin e një koalicioni të përbashkët qeveritar.

Edhe Lëvizja Besa ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë për parregullsi në zonën e dytë zgjedhore, ku shpreson t’ia marrë një mandat ligjvënësi VMRO-DPMNE-së, nëse miratohet ankesa.

LSD dhe BDI-ka kanë qenë një herë bashkë në qeveri, nga viti 2002 deri në 2006-ën. Kjo kohë, sipas njohësve të rrethanave ka qenë e qetë, sidomos në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike, por edhe midis vetë partnerëve të koalicionit të atëhershëm qeverisës.

Nga ana tjetër, VMRO dhe BDI e kanë ndarë pushtetin për 9 vjet bashkë; në opinionin publik janë vërejtur tensione të herë-pas-hershme dhe mosdurim midis tyre.

Disa analistë mendojnë se një koalicion i ri midis këtyre dy partive është i pamundur. Sidoqoftë, një qeveri me shumicë të thjeshë votash në parlament, shikohet si jo e qëndrueshme, dhe për pasojë do ta çonte vendin në zgjedhje të reja. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>