Prokurorja Speciale përfundimisht do të vendoset në lokalet ku ka funksionuar Agjencia për Rini dhe Sport. Ndërtesa e vendosur afër qendrës së Shkupit, do t’i përkasë plotësisht vetëm ekipit të Katica Janevës.
“Ministria e Drejtësisë ka kryer një procedurë për mbledhjen e ofertave me publikimin e shpalljes publike për marrjen me qira të pasurisë së patundshme – pronë afariste në Komunën Qendër, në të cilën do të akomodohet Prokuroria publike për ndjekjen e veprave kriminale që lidhen dhe dalin nga përmbajtja e përgjimit të paligjshëm të komunikimeve. Pas procedurës së realizuar, u bë përzgjedhja dhe u lidh marrëveshja për marrjen me qira të hapësirës afariste dhe e njëjta është vendosur në rrugën Franklin Ruzvelt nr. 34 në Shkup”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Por, edhe pse është zgjedhur hapësira, megjithatë nuk ka informacion nëse mund të punohet në të. Të paktën sot, nga ministria e Drejtësisë nuk morëm informacion deri ku është puna me pajisjet dhe kur pritet që prokuroria të jetë operative në kuptimin teknik.
Përveç hapësirave, prokurorja speciale mori dje edhe buxhetin e posaçëm për ndjekjen e rasteve lidhur me bombat dhe përmbajtjen e tyre. Por ajo nuk mund të fillojë punën e saj, edhe për shkak se Këshilli i Prokurorëve Publik zgjodhi vetëm gjysmën e ekipit të propozuar, edhe pse Ligji i harmonizuar nga të gjitha palët, i jep të drejtë të ketë aq ekip sa vlerëson se i duhet për funksionimin e saj. Prokurorët të cilët ishin përzgjedhur refuzuan të bëjnë betimin zyrtar, dhe të gjitha përpjekjet për ta zgjedhur ekipin e plotë deri më tani nuk dhanë rezultate.
Alsat-M