Pasojat që mund të sjellë dështimi i referendumit në Maqedoni

mkKryetari i Këshillit të investitorëve të huaj në Maqedoni, Shtefan Peter tha sot se Maqedonia do të mund të ballafaqohej me një sërë pasojash ekonomike dhe financiare nëse votuesit e saj nuk e japin mbështetjen për integrimin euroatlantik në referendumin e së dielës. Zoti Peter parashikon, në një rast të tillë, humbjen e një milardë eurosh nga Bashkimi Evropian për Maqedoninë, zhvlerësimin e valutës kombëtare dhe një lloj izolimi për vendin ballkanik. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje javët e fundit votuesve në Maqedoni që të dalin në numër sa më të madh në referendumin e 30 shtatorit.

Këshilli i Investitorëve të huaj parashikon një të ardhme të zymtë për Maqedoninë nëse votuesit e saj nuk dalin në referendum dhe nëse vendi nuk ka mbështetje të brendshme për synimet e integrimit në Bashkimin Evropian.

Shtefan Peter, Kryetari i Këshillit që përbëhet nga investitorë të huaj dhe vepron në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë, thotë se nëse Maqedonia vendos për t’i thënë JO Bashkimit Evropian, atëherë ai sheh humbjen e besimit, në veçanti të besimit tek e ardhmja dhe se vendi do të humbiste ndihma të konsiderueshme financiare dhe me këtë Maqedonia do të shënonte një regres zhvillimor.

“Në aspektin financiar parashoh humbjen e një miliardë eurove për ndihma në zhvillim. Nëse i thoni JO BE-së do të jetë e vështirë ta mbani stabil denarin maqedonas. Monedha e një popullate dy milionëshe nuk mund të mbijetojë lehtë në aspektin afatgjatë”, – tha biznesmeni austriak Shtefan Peter, i cili është anëtar i bordit të Kompanisë EVN që furnizon amvisëritë e Maqedonisë me energji elektrike.

Skenari i errët do të vazhdonte me largimin e të rinjëve të shkolluar për shkak të mungesës së besimit.

“Do të ketë izolim”, thotë zoti Peter, ndërsa parashikon një trysni ndaj sektorit bankar; zvogëlimin e importeve dhe eksporteve për shkak të mungesës së marrëveshjeve për lehtësime doganore; kompanitë vendore, sipas tij do të mund të humbisnin konkurrencën; Do të ulen investimet direkte të huaja për shkak të mungesës së një perspektive afatgjatë dhe për shkak të uljes së konkurrencës brenda vendeve të BE-së me paga më të ulëta, siç janë Bullgaria dhe Rumania, por dhe vendet kandidate për anëtarësim apo që synojnë integrimin si Shqipëria dhe Kosova, thotë Shtefan Petr i Këshillit të investitorëve të huaj në Maqedoni.

“Maqedonia do të përjashtohej nga e tregëtia e lirë me 27 ose 28 shtetet tjera dhe me këtë do të ulej konkurrenca në tregjet e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa do të mungojnë nxitësit në më shumë fusha si sundimi i ligjit, ambientit jetësor, ndërkohë që do të ketë ballafaqime në aspektin e të drejtave të konsumatorëve, të internetit, në huatë dhe kreditë bankare”, shton Peter.

Që këto pasoja të mos ndodhin, ai bën thirrje për pjesëmarrje aktive në demokraci:

“Jam plotësisht i bindur se dera për mënyrën e jetesës evropiane tani është e hapur për Maqedoninë. Ftesa nuk mund të jetë më e sinqertë se ç’është. BE nuk është e plotë pa Maqedoninë”, thotë ai.

Referendumi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë mbahet këtë të diel. Mbi nëntëqind mijë votues duhet të dalin në qendrat e votimit, që është pesëdhjetë përqindëshi i votuesve të regjistruar dhe gjysma e tyre, ose pak mbi 450 mijë të votojnë pro. Në atë rast, Maqedonia do të bëhet shpejtë anëtarja e tridhjë e NATO-s dhe do t’i hapë bisedimet për anëtarësim me BE-në në qershorin e 2019-s. voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>