Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, organizatori i protestës së 17 shtatorit në Tetovë Blerim Ahmedi, përkohësisht ka ndërprerë grevën e urisë. Avokati i tij Qenan Ramani, tha për Alsat se Ahmedi do të vijojë grevën sapo ti përmirësohet gjendja shëndetësore. Ahmedi së bashku me 4 persona të tjerë që nga 18 shtatori janë në paraburgim në Shutkë.
Pas vendimit të këshillit penal të Gjykatës Themelore të Tetovës për zgjatjen e paraburgimit për 30 ditë, për klientin Blerim Ahmedi dhe katër të tjerëve, situata e tyre shëndetësore është e mirë. Mirëpo klienti Blerim Ahmedi tash bën pjesërisht mbajtje të grevës së urisë pasi ishte në gjendje të keqe shëndetësore”, tha Qenan Ramani, avokat.
Gjykata në Tetovë fillimisht u caktoi 8 ditë paraburgim organizatorëve të protestës për drejtësi rreth zjarrit në spitalin modular ndërsa më vonë këtë masë e zgjati edhe për 30 ditë të tjera. Avokati Ramani tha se këtë masë e ka ankimuar dhe pret nga Gjykata e Apelit që klientët e tij të mbrohen në liri. Ndërkaq Gjykatat e Tetovës ka caktuar për më 13 tetor seancën e parë kundër pesë të akuzuarve. Organizatori i protestës Blerim Ahmedi dhe katër persona të tjera akuzohen për dhunën ndaj pjesëtarëve të policisë. Protesta për drejtësi dhe përgjegjësi lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, përshkallëzoi në dhunë dhe përleshje me policinë kur protestuesit u penguan të protestonin para selisë së BDI-së.
shqipmedia