Me një pjesëmarrje masive të qytetarëve të revoltuar nga akti i shëmtuar i rritjes së çmimit të energjisë elektrike në kohën e pandemisë dhe krizës ekonomike, në ora 19:00 në qendrën e qytetit të Tetovës, u mbajt protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, organizatorët e protestës lexuan edhe një komunikatë të cilën mund ta lexoni në vijim:
Të nderuar bashkëqytetarë
Në emër të Këshillit Organizator të kësaj proteste, ju përgëzojmë për pjesëmarrjen tuaj (masive) dhe po ju informojmë si vijon. Sot jemi mbledhur në këtë shesh për të ngritur zërin, për të shprehur mllefin dhe pakënaqësinë tonë dhe për të reaguar kundër shtrenjtimit të rrymës dhe problemeve tjera që kanë të bëjnë me kompanitë gjakpirëse që na shesin energjinë. Sot na ka bashkuar halli, problemi që të gjithëve na troket në derë çdo muaj. Si sot të bashkuar, ne do jemi edhe më tutje, për t’ju të treguar atyre, oligarkëve, se nuk do t’i lejojmë që të na rrjepin ekonomikisht dhe të na zbrazin xhepat që tashmë janë kah fundi. A nuk është e turpshme që të godasësh ekonominë e varfër familjare të qytetarëve të vendit tonë në kohë pandemie? A nuk është e turpshme që të marrin para nga të varfërit për të përmbushur apetitet e atyre që s’kanë të ngopur? A nuk keni fije turpi që po silleni si mafiozë, si gangsterë, si hajdutë rrugësh kur vendosni të rrisni çmimin e energjisë elektrike, sepse dikush s’e paska arritur qëllimin të shumëfishojë profitin personal? A ju kemi zgjedhur të na shërbeni neve, apo ju kemi zgjedhur t’i shërbeni apetitit të hajdutëve që e vjedhin popullin? Ky popull sot është ngritur në këmbë, këtu në Tetovë, në Gostivar, në Shkup, në Kumanovë, në Dibër, e gjithandej nëpër gjithë vendin. Ky popull nuk pranon më t’ju nënshtrohet më! Ky popull nuk pranon të përbuzet e të nënçmohet, duke pritur rradhë të gjata në temperatura të larta, apo në acarin e dimrit, apo në rrebesh të shiut! Ky popull nuk pranon të vidhet, nuk pranon të zhvatet, nuk pranon të rrjepet, ky popull nuk pranon të jetë thes i hapur nga ku do marrin paratë ata të pangopurit e kompanive energjetike, që na e rrisnin çmimin e energjisë kur t’ju dojë qejfi atyre. Vendimi i Komisionit Rregullator të Energjisë për të shtrenjtuar rrymën në kohë pandemie është skandaloz, i turpshëm, dhe i pafalshëm! Krahasuar me standardin që kemi, ne qytetarët e Maqedonisë së Veriut paguajmë thuajse tarifën më të lartë të energjisë elektrike në Evropë, por këta hajna akoma nuk ngopen. Prandaj sot, në këtë moment, nga ky shesh i Tetovës ngrejmë zërin, që në emër të qytetarëve të vendit tonë, që t’ja parashtrojmë kërkesat tona KOMISIONIT RREGULLATOR PËR ENERGJËTIKE, PARLAMENTIT TË REPUBLIKËS, QEVERISË SË MAQEDONISË SË VERIUT, por edhe kompanisë EVN. Sot kërkojmë që: 1) KOMISIONI RREGULLATOR ENERGJETIK TË SHFUQIZOJË MENJËHERË VENDIMIN PËR RRITJEN E ÇMIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE PREJ 7.4% DHE TA ULË ÇMIMIN E RRYMËS PËR KONSUMATORËT PËR 20%. 2) QEVERIA TË ANULOJË MONOPOLIN E SHËRBIMEVE TË KOMPANISË EVN, DHE T’I JAPË FUND SJELLJES SË TYRE JOKORREKTE DHE JONJERËZORE NDAJ KONSUMATORËVE; 3) KUVENDI I REPUBLIKËS TË Ç’AKTIVIZOJË (ZHBËJË) KOMISIONIN RREGULLATOR ENERGJETIK, SEPSE KY ORGAN I SHËRBEN VETËM APETITETEVE TË LARTA TË GRUPEVE TË BIZNESIT DHE KORPORATAVE QË DËMTOJNË MJAFT RËNDË XHEPIN E QYTETARËVE TË VARFËR TË VENDIT TONË; 4) KUVENDI I REPUBLIKËS TË KRIJOJË NJË TRUP TË PAVARUR ARBITRAR, NË SHËRBIM TË QYTETARËVE QË DO TË VERIFIKOJË CILËSINË E SHËRBIMEVE, DHE DO TË ADRESOJË TË GJITHA ANKESAT E QYTETARËVE NDAJ KËTYRE DHE KORPORATAVE TË NGJASHME ZHVATËSE SI KËTO. Keni dhjetë ditë pune kohë që të filloni me plotësimin e këtyre kërkesave. VETËM DHJETË DITË PUNE. Kjo protestë është organizuar për t’i dhënë shans paqes, për të parandaluar të gjithë ata qytetarë të mllefosur që preferojnë këto probleme t’i zgjedhin sipas modelit bullgar.Nëse JU të adresuarit në këtë protestë tregoheni të shurdhër dhe shpërfillni këto kërkesa, JU do e dëmtoni paqen dhe do mbani përgjegjësi për dhunën që mund të shpërthejë. Nëse ju nuk i merrni këto kërkesa me seriozitetin e duhur, JU do i arsyetoni veprimet radikale të qytetarëve që ju ka ardhë në maje të hundës, ju do mbani përgjegjësi për dhunën që do shpërthejë. Kjo është protesta jonë e parë, por jo e vetme. Sot një javë, do të marshojmë dhe do bllokojmë rrugët kryesore të qyteteve. Nuk mund të predikojmë se çfarë mund të ndodhë pas kalimit të afatit nëse nuk i plotësoni këto kërkesa, por vetëm mund t’ju themi se “Bullgaria nuk është larg”. Për fund, ju bëjmë thirrje të jeni të mençur dhe të arsyeshëm, dhe të punoni në interes të popullit tuaj! Mjaftë duruam! Mjaftë na vodhët! Kthim prapa nuk ka.
Pas protestës organizatorët gjithashtu u kujdesën edhe për pastrimin e qendrës së qytetit.
Organizatorët duhet të jenë të vetëdijshëm ose duhet të vetëdijesohen në kohë, që pjesëmarrja e njerëzve në këtë protestë, nuk ishte si mbështetje ndaj personave që e organizuan këtë protestë, por ishte shprehje e revoltës ndaj ngritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe tërheqje e vërejtjes ndaj proceseve që kanë devijuar dhe vazhdojnë të devijojnë në shoqërinë tonë. Prandaj çdo tendencë për përfitime personale ose partiake nga kjo pakënaqësi e qytetarëve do të rezultojë me dështim (të cilën jo pak subjekte e dëshirojnë).