Në Maqedoninë e Veriut akoma nuk ka filluar vaksinimi në masë, ndërkohë që më shumë se 140 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut, janë paraqitur për tu vaksinuar. Prej tyre, 110 mijë janë regjistruar përmes platformës elektronike “vaksinacija.mk” (https://kovid19vakcinacija.mk/ ). Pjesa tjetër, për marrjen e vaksinës kundër koronavirusit është regjistruar përmes mjekut amë.
Mjekët amë thonë se rritja e numrit të të infektuarve gjatë javëve të fundit, ka bërë që një pjesë e madhe e pacientëve të tyre të kërkojnë të regjistrohen për tu vaksinuar, veçanërisht grupet e rrezikuara siç janë të moshuarit mbi 70 vjeç dhe të sëmurët kronik.
“Interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinat kundër koronavirusit ka qenë më i ulët gjatë muajve që lamë pas, por për fat të mirë, ky interesim është në nivel më të lartë gjatë këtij muaji, për arsye se dita-ditës po rritet vetëdijesimi i qytetarëve. Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe sidomos rritja e numrit të viktimave nga ky virus, si duket e ka rritur vigjilencën e qytetarëve, e me këtë edhe kërkesën për vaksina. Ditëve të fundit unë personalisht nga ana e pacientëve të mi shoh kërkesë të shtuar për tu regjistruar për vaksinim. Normalisht se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë të irrituar për shkak të mungesës së vaksinës kundër koronavirusit, sidomos mosha e shtyrë, sepse mbeten më të rrezikuar nga ky virus”, thotë Liridon Disha, mjek familjarë.
Në Maqedoninë e Veriut për momentin po zhvillohet imunizimi i punonjësve të shëndetësisë me vaksinat Pfizer, të mara donacion nga Serbia dhe 3 mijë dozat e para të vaksinës ruse Sputnik V.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka theksuar për mediat se pret që vaksinimi në masë të filloj në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm me dozat e para që pritet të arrijnë përmes programit COVAX.
Zaev tha se gjatë javës së ardhshme pritet të arijnë dozat e dyta të vaksinës ruse Sputnik V me të cilat do të bëhet imunizimi i punonjësve të shëndetësisë.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha po ashtu se data e arritjes së vaksinave kineze do të bëhet e qartë më 30 mars, kur pritet të arrijë për vizitë në Shkup ministri kinez i mbrojtjes.
“Më 30 mars vjen Ministri i mbrojtjes së Kinës dhe besojmë se do të sjell informacione më konkrete kur do të arrijnë vaksinat kineze. Mendoj se kah fillimi i javës së ardhshme do të arrijnë edhe dozat e dyta të Sputinik V, që përdoren për punëtorët shëndetësorë”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, duke shtuar se pret solidaritet për vaksinat, kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Në bazë të njoftimeve të qeverisë, Maqedonia e Veriut është në pritje të arritjes së 100 mijë vaksinave të kompanisë Astra Zeneka përmes programit COVAX, 200 mijë vaksinave kineze Sinofram dhe 200 mijë vaksinave ruse Sputnik V.
Ndërkohë po zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta mes qeverisë dhe kompanisë Pfizer për sigurimin e 800 mijë dozave të vaksinave nga kjo kompani.
Ndryshe, në bazë të strategjisë kombëtare kundër koronavirusit të ri, vaksinimi është planifikuar të zbatohet në tri faza, duke përfshirë kategori të ndryshme të qytetarëve, në përputhje me sasitë e vaksinave që do të arrijnë në shtet, ku të parët mbeten punonjësit shëndetësorë, grupet e moshuara dhe ata me sëmundje kronike.
rel