Qytetarët e RMV-së që jetojnë jashtë shtetit nga marsi do të mund të regjistrohen përmes aplikacionit online të EShS-së

Enti shteteror i statistikesQeveria njoftoi se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në periudhën kur do të kryhet regjistrimi, nga 1 deri më 21 prill të këtij viti, ndërsa të cilët jetojnë-qëndrojnë jashtë vendit, do të mund të regjistrohen me vetëregjistrim, përmes një aplikacioni online. I njëjti do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Statistikave, në periudhën nga 1 marsi deri më 21 prill, 2021, transmeton Portalb.mk.

Këta qytetarë në regjistrim do të hyjnë në kategorinë nën emrin: “popullata e përgjithshme jorezidente“. Këta janë persona, qytetarë të RMV-së, të cilët qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se 12 muaj, për punë ose arsye të tjera, si dhe anëtarët e familjeve të tyre që qëndrojnë me ta.

“Kushti për vetë-regjistrim është numri amzë i qytetarit (EMBG). Mënyra e regjistrimit është në përputhje me Metodologjinë për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e regjistrimit të popullsisë, familjeve dhe banesave në RMV në vitin 2021 dhe Udhëzimet për vetë-regjistrimin e personave që mungojnë jashtë vendit, që e miraton drejtori i Entit Shtetërore të Statistikave ( SSO)”, informuan nga Qeveria.

Për personat që jetojnë në RMV, të cilët gjatë regjistrimit janë jashtë vendit dhe nuk janë regjistruar vetë përmes ueb-aplikacionit, regjistrimi do të kryhet në vendbanimin e tyre të fundit, nëse në atë adresë ekziston një anëtar i rritur i familjes ose një person tjetër i cili mund të japë të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me to.

“Për këta persona, të dhënat sigurohen ekskluzivisht nga një anëtar i rritur i familjes ose një i rritur tjetër. Dhënësi i informacioneve është i detyruar të bashkangjisë dokument të përshtatshëm nga i cili do të jetë e mundur të merret numri amzë (EMBG) i personit që regjistrohet, i cili do të garantojë saktësinë e të dhënave. Gjatë regjistrimit të këtyre personave, të dhënat jo të plota nuk do t’i pranojë aplikacioni dhe kështu mundësia e regjistrimit të personave me të dhëna të pasakta do të refuzohet”, njoftuan nga Qeveria.

Ata shtojnë se regjistrimi i këtij grupi të qytetarëve do të sigurojë informacion mbi kapitalin njerëzor, numrin dhe strukturën e njerëzve që janë larguar, arsimimin e tyre, moshën, ndërsa ato informacione do të ndihmojnë në planifikimin e vendeve të reja të punës, krijimin e politikave të përparuara të të rinjve dhe parandalimin e largimit të njerëzve të trajnuar dhe të kualifikuar.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë para hetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>