Maqedonia mori rekomandimin për të shtatën herë nga Komisioni Evropian për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me kusht zbatimin e plotë të marrëveshjes së Përzhinës.
Duke e paraqitur Strategjinë për zgjerim për vitin 2015, komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, në pjesën për Maqedoninë konfirmoi, se ka rekomandim të ri me kushtin e pritur. “Për avancimin e arritur deri tani, zbatimi i marrëveshjes së Përzhinës është i rëndësishëm dhe Komisioni Evropian propozon hapjen e negociatave me Maqedoninë nën kushtin që të zbatohet marrëveshja e korrikut dhe urgjentisht të fillohet me masat e reformave të rekomanduara nga KE-ja”, ka deklaruar Hahn.
Sipas eurokomisarit në Maqedoni ka nivel të lartë të harmonizimit me legjislativën evropiane, por është dëshmuar se qëndrimi politik është i rrezikuar për shkak të implikimit politik dhe korrupsionit. “Në korrik është arritur marrëveshje politike, ku kanë ndërmjetësuar eurodeputetët . Liderët politikë në vend duhet të jenë koshientë, se cilat janë prioritetet për reforma urgjente. Nevojitet që të përfundojë edhe analiza e hollësishme e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa masa shtesë për besim nevojiten mes bashkësive etnike”, është shprehur Hahn.
Komisioni Evropian adreson vërejtje të caktuara
Në raport progresin e Komisionit Evropian theksohet se sfidat serioze, të cilat kanë qenë dhe në vitet e mëparshme, tani janë më të theksuara dhe kjo që nga kriza më e rëndë politike në vend e vitit 2001, me komunikimet e përgjuara në të cilat siç shihet janë të përfshirë funksionarë të lartë shtetërorë, që tregon shkelje e të drejtave themelore të njeriut, përzierje në pavarësimin e gjyqësorit dhe lirinë e mediave.
Mbetet shqetësimi për politizim e administratës publike, ende zhvlerësohen edhe kriteret për përparim në karrierë. Është ulur besimi publik në funksionimin e institucioneve. Lidhur me luftën kundër korrupsionit është arritur përparim i caktuar. Ajo megjithatë në mënyrë të caktuar ishte zbehur nga mungesa e vullnetit politik dhe përzierja politike në punën e trupave relevante veçanërisht për rastet në nivel të lartë. E domosdoshme është të vendoset shqyrtim efikas i rasteve të korrupsionit veçanërisht në nivel të lartë. Në raport thuhet se situata ndëretnike ngelet e brishtë. Në pikat kyçe nga raporti për Maqedoninë Komisioni konkludoi se procesi i integrimit të vendit është në një moment kritik.
“Çështja e emrit akoma nuk është zgjidhur. Ruajta e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë edhe arritjen e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, mbetet me rëndësi esenciale”, theksohet në raport.
BDI: Raporti dokument udhërëfyes
Bashkimi Demokratik për Integrim e mirëpret Raportin e progresit si një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e integrimeve, ngritjes së vlerave demokratike dhe përparimin e vendit. Sipas BDI-së, raporti është një dokument objektiv i cili do të shërbejë në zbatimin e reformave të mëtejshme në procesin e integrimit evropian.
“Marrëdhëniet ndërfqinjësore duhet të promovohen në vazhdimësi duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale, veçanërisht duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit. Gjithashtu, vëmendje e veçantë në të ardhmen do t’i kushtohet përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike duke përfshirë edhe Analizën e Implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në reagimin e BDI-s
LSDM: Rekomandimin e shpëtuam
Bashkë me qytetarët arritëm të mbajmë proceset eurointegruese të Maqedonisë, të vëna seriozisht në pikëpyetje nga politikat e qeverisë aktuale, ka njoftuar LSDM pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, ku rekomandimi kushtëzohet me respektimin e marrëveshjes së Përzhinës. “Rekomandimi i BE-së për fillim të negociatave për fat të keq është i kushtëzuar, pasi Brukseli nuk i beson më Nikolla Gruevskit. Marrëveshja e Përzhinës është mënyrë më e mirë që t’i jepet fund krizës politike. Evropa dëshiron Maqedoni me vlera evropiane”, thuhet mes të tjerash në reagimin e opozitës maqedonase. (dw)