Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily ka zgjedhur një mënyrë jo të zakonshme për të shprehur vlerësimin e tij për sistemin e drejtësisë në Maqedoni. Ai ka shpërthyer në të qeshura kur gazetarët në Shkup i kanë kërkuar një vlerësim për gjyqësorin. “Hahaha! Pra, po më pyesni të komentoj sistemin gjyqësor”, iu përgjigj Baily reporterëve. Megjithatë, diplomati amerikan e vuri theksin te mungesa e besimit të qytetarëve tek institucionet gjyqësore. Ai u zotua se SHBA-të do të ndihmojnë në rritjen e këtij besimi dhe porositi se sfidat aktuale me të cilat përballet vendi kërkojnë një gjyqësor të pavarur dhe transparent. </p>
<p>“Çështja e besimit të qytetarëve te sistemi gjyqësor është diçka për të cilën duhet të vendosin vetë qytetarët e Maqedonisë. Ne jemi këtu për të ndihmuar në rritjen e besimit. Unë nuk dua të gjykoj nëse sistemi është i aftë të përballet me rastet e fundit, por sfidat me të cilat përballet Maqedonia kërkojnë një gjyqësor transparent dhe të pavarur. Këtë e dëshirojnë edhe qytetarët”, deklaroi Baily. Ndërkohë, një ditë më parë partia opozitare maqedonase, LSDM prezantoi disa audiomateriale të përgjuara, për të cilat tha se dëshmojnë se në Maqedoni sistemi gjyqësor kontrollohet tërësisht nga kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt. </p>
<p>Deklarata e diplomatit amerikan nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga mediat ndërkombëtare. Shumë prej komenteve shprehen se gjesti i Baily nuk ishte aspak diplomatik dhe se mund të sjellë irritimin e qytetarëve për mënyrën sesi shefi i diplomacinë e ka trajtuar këtë çështje.