Shkup, dënohet ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe organizatorët e sulmeve të 2017-ës në parlament

Trajko VeljanovskiGjykata Penale në Shkup dënoi me gjashtë vjet e gjysmë burg ish-Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski për organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të vitit 2017.

Për të njëjtën vepër, gjykata u shqiptoi dënimin me nga gjashtë vjet e tre muaj burg edhe Mile Janakievskit, ish-ministër i Transportit dhe Spiro Ristovskit, ish ministër i Arsimit në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Ndërkaq, ish-drejtori i Shërbimit Sekret, Vladimir Atanasovski u dënua me 6 vjet burgim.

Gjykata i shpalli ata fajtorë për veprën penale të “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prokurorët u shprehën të habitur me dënimet e ulëta për një akuzë të tillë.

Gjykatësi Ile Tërpkov tha se dënimet janë minimale për shkak të qëndrimit korrekt dhe bashkëpunimit nga ana e të akuzuarve. Ai tha se “shteti mbrohet me mend dhe me zemër e jo me dhunë që lëndoi thelbin e demokracisë”.

Gjykatësi theksoi se zoti Veljanovski nuk respektoi rregulloren e parlamentit në seancën konstituive më 27 prill, 2017. Sipas akt-akuzës, ai njoftoi ish-Kryeministrin Guevski, i cili ndodhej në Vjenë, se Lidhja Social Demokrate do të zgjidhte Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. Në atë çast, ish ministri i Arsimit Spiro Ristovski i thotë deputetit të VMRO-së, Kërsto Mukovskit, që ta hapte derën kryesore të Parlametit për të hyrë masa e njerëzve që po protestonin përjashta.

Gjykatësi theksoi edhe shprehjen e Gruevskit atëherë se “populli nuk duhej të rrijë me pantofla në shtëpi, por ta marrë fatin në duart e veta”.

Zoti Gruevski është arratisur në Hungari, ku i është mundësuar strehimi, teksa është dënuar në Shkup për vepra të tjera penale. Prokuroria, si dhe autoritetet qeveritare, presin ekstradimin e tij, në mënyrë që të ngrenë akuzën e organizatorit të ngjarjeve të dhunshme në parlament.

Gjatë shpalljes së dënimit gjykatësi tha se të akuzuarit si organizatorë, kishin angazhuar strukturën partiake të VMRO-DPMNE-së në planin për sulmet, duke bërë që numri i policëve dhe personeli i sigurimit të ulej gradualisht brenda godinës dhe jashtë saj, urdhëruan shkatërrimin e materialeve të videoregjistrimit, ndërkohë që kishin sjellë një automjet me një sasi të konsiderueshme armësh pranë parlamentit dhe lejuam turmën e protestuesve të futej brenda institucionit më të lartë ligjvënës për të sulmuar deputetët e shumicës së re të drejtuar nga socialdemokratët.

Gjatë sulmit u lëndua rëndë deputeti Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, i cili u shtrua në spital për disa ditë, si dhe Kryetari i i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev.

Për këtë vepër më parë janë dënuar 16 persona. Ndërkohë, pas ligjit të amnestisë të miratuar në dhjetor të vitit 2018, pesë deputetë të VMRO-së të akuzuar për rolin e tyre, u lanë të lirë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>