Shkup: Diplomaci ecejakesh për ndryshimet kushtetuese

ShkupZëvendës-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Escobar sërish viziton Maqedoninë e Veriut. Escobari në Shkup takon presidentin Pendarovski, kryeministrin Kovaçevski dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Mickoski.

 

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Escobari në Shkup takon presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Ardhja e Escobarit në Shkup vjen pas fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë mbledhjen e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian.

Diplomati i lartë amerikan ka deklaruar se SHBA-ja fuqimisht e përkrah procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe është e angazhuar që me qeverinë e re në Sofje të sigurojnë se nuk do të parashtrohen kërkesa të reja në rrugën evropiane të vendit. Ai vlerëson se me integrimin evropian të vendit, do të ulet ndikimi i aktorëve të dëmshëm në rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve të korruptuar lokalë. Escobar mbetet optimist se politikëbërësit në RMV do të veprojnë racionalisht dhe do të marrin hapa për një ardhmëri të sigurt të vendit.  “Ai shpreson për diskutime produktive dhe të përbashkëta me udhëheqësit e qeverisë , veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga Departamenti i Shtetit.

 

VMRO-DPMNE nuk lëshon pe

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski para takimit me Escobar ka thënë, se qeveria tani po tenton ta prezantojë vizitën e Escobarit, si një buldozer diplomatik që është thirrur këtu për të ushtruar presion. Askush nuk bën presione në shekullin e 21-të, po edhe sikur të bëjnë, kanë zgjedhur bashkëbiseduesit e gabuar, vlerëson Mickovski.

“E vlerësoj vizitën e Escobar si çdo vizitë tjetër. Në periudhën e kaluar kemi pasur shumë vizita nga përfaqësues të lartë të huaj. Ne do t’i dëgjojmë argumentet e tyre dhe do t’u themi argumentet tona”, është shprehur Mickoski.

 

Vizita e Eskobarit vjen pas fillimit të procedurës plenare parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka shtyrë votimin deri në sigurimin e shumicës prej dy të tretave.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>