Për Bilall Kasamin, kryeqendra e botës është Stambolli, sepse siç deklaroi ai vet para pak ditësh në Stamboll, identitetin prej shqiptari e gjeti tek para 1 apo dy vitesh, kur u bë shok me Lulzim Jasharin! Por në fakt, e vërteta është se identitetin e tij, ai e kishte gjetur vite më parë, por jo atë shqiptar! E kishte gjetur në Stamboll, aty ku nënkryetari i tij u betua se do të luftojnë për fe e jo për komb, ndaj dhe Stambollin e ndjejnë si kryeqendrën e botës.
Sepse kur Bilall Kasami duhej të frymëzohej nga emri dhe sakrificat e nacionalistëve shqiptarë, të burgosurve të Goli Otokut, Mehmet Gegës, Rafi Halilit e shumë të tjerëve, tanimë ai e kishte identitetin “jugosllav” dhe shkruante poezi për Titon. Kur në Kosovë Adem Jashari dhe shumë heronjë të tjerë vriteshin për liri, ai qetë qetë po kryente studimet për ekonomi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, duke vazhduar me identitetin “jugosllav”. Vazhdoi me po këtë identitet edhe kur po bëheshin pregaditjet dhe po zhvillohej lufta e shqiptarëve në ish IRJM, i akomoduar në Drejtorinë e doganave të “Maqedonisë së Veriut” (2000-2004). Për të vazhduar si kuadër i BDI në postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë (2005-2006) e për t’u rikthyer përsëri në Drejtorinë e doganave ku qëndroi deri në vitin 2008.
Identitetin e tij të ri “kombëtar, musliman”, do ta gjente pas vitit 2009 deri në vitin 2014 kur filloi punën si profesor në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik i themeluar në vitin 2006 nga Fondacioni për Arsim dhe Kulturë “ÜSKÜP. Vazhdoi ta përforconte këtë identitet më 2013, kur u zgjodh anëtar i Bordit Këshillëdhënës të Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC), duke themeluar nga këtu, më 2014 Lëvizjen BESA, dhe duke u zgjedhur kryetar i parë i saj.
Po, për Bilall Kasamin dhe të tjerët si ai, kryeqendra e botës është Stambolli. Sepse për të tillët Gjergj Kastrioti – Skenderbeu ishte “kaur” që luftonte “kryeqendrën e botës”. Ndërsa shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 ishte “gabimi” më i madh i shqiptarëve, I cili duhet korrigjuar tani përmes partive të islamit politik.
E pamë që edhe për Xhelal Sveçllën, ministrin e brendshëm të Albin Kurtit, Stambolli është kryeqendra e botës. Po për Albini Kurtin?
“E keqja më e vogël” si shpëtim nga e “keqja më e madhe”? Jo faleminderit!
Sepse patjetër do të vijë dita kur shqiptarët në ish IRJM do ta heqin qafe gjithe këtë të keqe, qoftë e madhe, qoftë e vogël, siç thot veterani I luftës, Ali Jonuzi “… Edhe mos ndodhtë me këtë klasë politike që është sot, ka me lind një klasë politike. Ka me lind një pararojë që ka me terheq popullin pas vetes, drej bashkimit kombëtar…”
A.F.