Nevoja për mbrojtjen e shtetit nga sulmet kibernetike është po aq e madhe sa edhe mbrojtja fizike përmes ushtrisë dhe policisë. Kështu vlerësojnë ekspertët e fushës së informatikës dhe të komunikimit pas sulmeve kibernetike ndaj faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë së Veriut.
Që nga 10 shtatori faqja e kësaj ministrie është jashtë funksionit pas sulmit nga një grup hakerësh grek, që mori përgjegjësinë. Në faqen e Ministrisë së Arsimit në internet u shfaq mesazhi, “Hakuar nga ekipi grek i hakerëve Netëatchers”, teksa kur klikoje në faqe, shfaqej një video në YouTube me titullin “Maqedonia e famshme”.
Nga Ministria e Arsimit kanë thënë se janë duke punuar për rritjen e sigurisë së faqes, ndërsa kanë siguruar opinionin se “nuk ka vend për shqetësim lidhur me pohimet për rrjedhjen e supozuar të të dhënave të qytetarëve, sepse faqja e internetit nuk ka baza të tillë të dhënash”.
Xhelal Neziri, njohës i çështjeve të komunikimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se sulmet kibernetike paraqesin rrezik të madh për sigurinë e shtetit, në veçanti pas synimit të Rusisë dhe Kinës, apo edhe Iranit, siç po ndodh në Shqipëri, për destabilizim të rajonit dhe shtrirjes së ndikimit, qoftë përmes sulmeve kibernetike, lajmeve të rremeve apo infiltrimit të agjentëve të tyre.
“Siguria tani në kohën e digjitalizimit nuk nënkupton vetëm siguri fizike, por nënkupton edhe sigurimin e sistemit digjital të një shteti, ku ruhen edhe të dhënat, por edhe ofrohen shërbime dhe mundësojnë funksionimin normal të institucioneve”, thotë Neziri.
Ai thotë se marrë parasysh faktin se pjesa më e madhe e të dhënave janë të digjitalizuara, sikur edhe shërbimet që ofrojnë institucionet shtetërore, sulmet mbi këto sisteme apo softuerë nënkuptojnë bllokim total të funksionimit të institucioneve.
“Fakti që edhe të dhënat që ruhen në institucionet e sistemit nuk janë më si arkivat e mëparshme, me letra dhe me dosje, por janë arkiva digjitale, këto sulme konsiderohen si të rrezikshme në rast të vjedhjes së të dhënave pasi mund të jenë të klasifikuara si sekrete dhe të ndjeshme për sigurimin e një shteti”, vlerëson Xhelal Neziri.
Mane Piperevski, ekspert për sigurinë e informacionit dhe të sistemeve elektronike, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja është e mundur, por është thelbësore që sistemet të testohen para përdorimit.
“Mbrojtja e sistemit është e një rëndësie shumë të madhe, para së gjithash në nivel kombëtar, për interesa kombëtare, por edhe për mbrojtjen e privatësisë, pra të dhënave të qytetarëve. Mbrojtja e sistemeve kompjuterike, e faqeve zyrtare të internetit është e mundur, por duhet ta zbatojmë. Që mbrojtja të jetë efektive ajo duhet të testohet. Testimi duhet të bëhet para se të futet në përdorim, nëse bëhet pasi vendosjes, e lëmë mundësinë për sulme kompjuterike apo të keqpërdoret nga përdoruesit saj”, konsideron Piperevski.
Drejtuesit e institucioneve në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi kanë thënë se “sulmet kibernetike janë një kërcënim real dhe se shteti ka mekanizma mbrojtës”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliveri Spasovski, ka thënë se “çdo institucion punon individualisht për t’i mbrojtur të dhënat elektronike”.
Ai ka deklaruar se Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Departamentin e saj për Parandalimin e Krimit Kompjuterik dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike, institucioneve shtetërore po u jep ndihmën e nevojshme profesionale për mbrojtjen e sistemit.
Sulme kibernetike ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut kanë ndodhur edhe vitin 2021 kur është sulmuar faqja e internetit e Entit Shtetëror të Statistikave. Në shënjestër të sulmit ka qenë sistemi i regjistrimit të popullsisë.
Në vitin 2020 ishte sulmuar faqja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që kishte shkaktuar probleme në përpunimin e të dhënave të votimit nga zgjedhjet parlamentare.
rel