Zaev: 2017-a, vit i çlirimit të Maqedonisë

ZaevViti 2017 për kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ishte vit i sfidave të mëdha, vit i çlirimit të vendit, siç ka thënë ai, nga robërimi i pushtetit të kaluar, të cilin e ka fajësuar për të gjitha ngjarjet që e kanë përcjellë Maqedoninë gjatë këtij viti, si kriza politike, tensionet ndëretnike, varfërimi i vendit dhe bllokimi i procesit integrues.

Ndryshimin, Zaev ua dedikoi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, të cilët pa dallim përkatësie etnike u ngritën për ndryshimin e gjendjes dhe kthimin vendit në binarët e një shteti normal.

“Qytetarët liridashës çliruan shtetin e robëruar. U ballafaquam me sfidat dhe ndodhi kthesa e madhe. Ndodhi ndryshimi. Maqedonia u stabilizua dhe nisi të lëvizë drejt rritjes dhe zhvillimit. Me ndërrimin e pushtetit, qytetarët qartë dërguan mesazhin se duan praktikë të re dhe politika të reja në drejtimin me shtetin”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Sipas tij, funksionimi i shtetit ligjor, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe luftimi i dukurive negative janë një nga kushtet kryesore për prosperitet në shtet. Kjo, sipas tij, rrit besimin e qytetarëve në institucione, të cilat periudhën e fundit ishin në gjendje të rëndë për shkak të partizimit dhe politizimit të skajshëm.

“Kundërshtoj fuqishëm ambientet, në të cilat elita të caktuara politike tentojnë të ndihen të privilegjuara. Tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe tolerancë zero për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut… do të angazhohemi për zbatimin e tërësishëm të reformave, me përfshirjen e të gjithë faktorëve në vend. Lufta me varfërinë dhe siguria janë gjithashtu kushte të rëndësishme për ecjen para…Politikanë të caktuar gjatë viteve të kaluara ishin përcaktuar për politika të ndarjeve dhe nxitjes së konflikteve, të cilat çuan në ndarjen e njerëzve”.

“Ne nuk kemi nevojë për ndarje, por për unitet dhe rritjen të mirëbesimin. Vetëm një Maqedoni e integruar, e respektuar me të gjitha llojllojshmëritë që ka, mund të ketë të ardhme”, ka thënë Zaev duke premtuar masa të shumta për zhvillimin ekonomik të vendit dhe me këtë, luftimin e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Zaev më pas u ndal edhe në proceset integruese dhe pritjet e tij në këtë plan për vitin 2018.

“Presim të marrim rekomandim të pastër për nisjen e bisedimeve paraaderuese me Bashkimin Evropian. Brukseli e di se kemi argumente të mjaftueshme për këtë pritjen tonën. Presim që Maqedonia të bëhet shteti i 30 anëtar i NATO-s. Jemi në rrugë të mbarë që të rrumbullakojmë vizionin tonë për shtet modern, të respektueshëm dhe ekonomikisht të qëndrueshëm”, është shprehur Zaev duke theksuar përkushtimin e kabinetit të tij për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit me të gjitha pesë shtetet fqinje të Maqedonisë. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>