Projekti më i madh ekonomik i BDI-së, Zona e lirë ekonomike e Tetovës, assesi të funksionojë.
Edhe pas paralajmërimeve dhe përgatitjeve të shumta që nga viti 2007, në këtë fushë mbeten vetëm themelet e kompanisë ‘Itek Venezia Group’ punimet për të cilën kishin filluar në gusht të vitit të kaluar. Por nuk dihen arsyet pse kjo kompani nuk ka vazhduar punimet e mëtejme. Madje edhe ministrat e BDI-së kishin paralajmëruar se Zona ekonomike do të jetë burim i zhvillimit për banorët e zonës së Pollogut.
‘Me vendosjen e gurthemelit po fillon të marrë pamjen një projekt kapital që duhet të sjellë zhvillim industrial, mirëqenie ekonomike dhe dobi për të gjithë’, kishte deklaruar Valon Saraçini,ish ministër i ekonomisë (08.11.2013).
Nga Drejtoria e Zonave Ekonomike thonë se një gjendje e tillë nuk është e habitshme pasi që procedurat për themelimin, përgatitjen dhe funksionimin e një zone është normale të jenë kaq të gjata. Zv/Drejtori Asip Useini tha për Alsat M se kompania private “Normak Investment” që ka fituar tenderin për ndërtimin e zonës përmes partneritetit publiko-privat, ka për obligim edhe ndërtimin e infrastrukturës së brendshme dhe thithjen e investimeve.
‘Prej fillimit ne mund të themi si datë, prillin e vitit 2013. Prej asaj dite e këndej kanë filluar punët sepse për të bërë një zonë duhen 2 deri në 3 vjet minimum përgatitje dhe punë në infrastrukturën e brendshme dhe të jashtme, ne jemi në atë fazë por duhet të jemi të kënaqur sepse një fabrikë gurthemelin e ka hedhur, e dyta e ka nëshkruar kontratën kurse e treta është në bisedime. Sa për informatë kemi edhe 2-3 ndërmarrje për të cilat neve jemi duke punuar’, u shpreh Asip Useini, zv/drejtor i Drejtorisë për Zona Ekonomike.
Pamjet e xhiruara sot në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë, shfaqin po ato që i kemi parë edhe më herët. Fushë e gjerë me një objekt të vetëm dhe bimë të egra gjithandej. Ferikan Iljazi