E VËRTETA MBI DISA ZHVILLIME POLITIKE 1991 – 97, TRILLIMET E RUFI OSMANIT DHE MESAZHET QË NA JAPIN KËTO ZHVILLIME.

Para ca kohësh, pata rastin të dëgjoj pjesë të intervistës së Rufi Osmanit dhënë më 25.12.2015, në programin “Një mbrëmje me Agim Poshkën”, në televizinin TV21.

Me këtë rast ai deklaroi një sërë të pavërtetash dhe shtrembërimesh lidhur me disa nga ngjarjet politike të viteve 91 – 97, si krijimi i fraksionit brenda PPD-së, afera e armëve, ngjarjet e Gostivarit e të tjera.  Rufi Osmani nuk është i pari që keqinformon opinionin për këto ngjarje, por është për t’u habitur transformimi që janë në gjendje të bëjnë njerëz të tille, që më së paku tregon për një higjienë morale të tyre që len për të dëshiruar! Është pikërisht ai, i cili sulmonte me fjalorin më vulgar në atë kohë kundërshtarët e tij politik – eksponentë të PPD-së,  e sot quan PPD-në “lëvizje popullore shqiptare”. Ai që ishte një ndër anëtarët më të zellshëm të fraksionit, shkëputjen e degës së Tetovës nga PPD dhe formimin e PPDSH e quan “përçarje të PPD-së si produkt i një marrëveshjeje të ish presidenteve S. Berisha K. Gligorov, si një pazar i tyre për të mbuluar aferën e armëve!?”. Aktivitetin e tij politik të asaj kohe e përshkruan si “ishim peng të një situate politike që prodhoi përçarjen e subjektit të parë politik” si dhe “i bindur (nënkupto mashtruar) nga dy funksionarë të lartë të R. Shqipërisë se do jemi fryma atdhetare përkundër një fryme tradhtare në thonjëza në krye me N. Halitin dhe Mitat Eminin”.
Në fakt, cila ishte e vërteta e “përçarjes” së PPD-së dhe krijimit të fraksionit brenda PPD? Për ata që nuk e dinë, ose kanë qenë shumë të rinj në atë kohë, pas vitit 1990, si në të gjitha shtetet e Evropës lindore dhe në ish shtetet e Jugosllavisë, ashtu edhe në Maqedoni filloi të zbatohet sistemi shumëpartiak. E me këtë u krijua dhe subjekti i parë politik shqiptar i mirëpritur me shumë entuziazëm nga popullata shqiptare në Maqedoni, e lodhur nga decenie torturash psikike, përndjekjesh dhe vuajtjesh. Por maqedonasit, të mësuar për decenie me radhë me sistemin monist, i cili ju siguronte pozicionin e të privilegjuarit dhe njëkohësisht ju shërbente si instrument shumë efikas për nënshtrimin e shqiptareve, natyrisht nuk ndenjen duarkryq por u kujdesën që të kenë nën kontroll hapësirën për organizim politik që u jepej shqiptarëve me këtë sistem shoqëror të ri. Shërbimet e sigurimit të shtetit maqedonas lejuan themelimin e PPD, por u kujdesën që këtu të vijnë individë të përshtatshëm për ta, në mënyrë që të mund ta mbajnë nën kontroll këtë mundësi të re të organizimit politik të shqiptarëve. Bile në fillim nuk u kujdesen aq shumë për aparencën, dhe për sekretar të parë imponuan një maqedonas të Shërbimit të Sigurimit, të cilin shqiptarët të mësuar të ulin kokën, e pranuan pa ndonjë kundërshtim, bile duke e interpretuar si strategji të mençur në kushtet e dhëna.
Në vazhdim, u kujdesën që për kryetar të partisë të imponojnë një mediokër naiv, i padenjë për atë pozicion me kaq përgjegjësi, i cili pas emërimit, duke mos ditur peshën e pozicionit, pa ide, pa vizion, pa kompetenca, mbushte fjalëkryqe gjatë gjithë ditës në zyrën e tij. Natyrisht, ata që u kujdesën të emërojnë një njeri të tillë për kryetar, u përkujdesën që të imponojnë edhe një sekretar të shkathët, perfid, fuqiplotë, që do të mbante nën kontroll këtë kryetar por edhe gjithë partinë, dhe do të kujdesej që vija e partisë të jetë e koordinuar me politikën dhe agjendat e pushtetit në duart e maqedonasve. Kjo erdhi në shprehje posaçërisht më vonë, gjatë zgjedhjes së deputetëve dhe posaçërisht të ministrave nga radhët e PPD si partnerë koalicioni në qeveri nga pala shqiptare. Kandidatët e përshtatshëm duhej të ishin të sprovuar për lojalitet ndaj shtetit në aparatin e administratës së mëparshme të monizmit, ose së paku të mos kishin qenë kurrë më parë në konfrontim me pushtetin. Dhe gjeni kush ishte personi në PPD që koordinonte kriteret e vendosura nga qeveria dhe përzgjedhjet në parti? Natyrisht, ky ishte Mitat Emini, të cilin Rufi Osmani sot e paraqet si viktimë të “funksionarëve të lartë të R. Shqipërisë” dhe ekstremistëve shqiptar!
Si erdhi deri tek fraksioni brenda partisë, dhe më vonë deri tek formimi i PPDSH-së? Ndoshta Rufiu gjatë kësaj kohe ishte “peng i situatave politike” dhe “i bindur (lexo manipuluar) se do ishte një frymë atdhetare”, por në radhët e PPD-së kishte edhe njerëz që nuk ishin “peng të askujt dhe asnjë situatë politike” dhe nuk ishin “të mashtruar”, por ishin njerëz të ndershëm, atdhetarë, të rinj me guxim, vullnet dhe gatishmëri për të ndryshuar realisht gjërat dhe për të kontribuar për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni. Nga këta njerëz u krijua fraksioni, që në të vërtetë ishte e gjithë dega e PPD e Tetovës dhe kuvendi qendror i degës, e më pastaj dhe PPDSH. Sigurisht që në mes të këtij grupimi kishte edhe njerëz karrieristë, profiterë, të infiltruar nga Sigurimi shtetëror që tanimë nuk është e vështirë për ti identifikuar, të cilët kontribuan që edhe kjo parti shumë shpejtë të vihej nën kontrollin e Sigurimit Shtetëror. Por kjo në asnjë mënyrë nuk ja ul vlerat e kësaj iniciative të atëhershme të njerëzve të ndershëm, atdhetarë dhe me vetëdije qytetare.
Cila është e vërteta mbi të ashtuquajturën “Afera e armëve”? Në ndërkohë Sigurimi Shtetëror duke pare që i gjithë Ballkani po ziente, dhe duke nuhatur një pakënaqësi ndër shqiptarët që mund të eskalonte në rezistencë të armatosur, vendosi ti paraprijë këtyre ngjarjeve për t’i dekurajuar ata në çdo iniciativë të tillë. Me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve shqiptarë, mashtruan qindra të rinj, duke i “organizuar” në “formacione ushtarake” fiktive, me ç’rast siguruan lista të tëra me emra shqiptarësh atdhetar të gatshëm të kapnin pushkën, bashkë me numrat serik të armëve që ju shpërndanë ata vetë me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre. Dhe gjeni kush ishte “komandant” i kësaj “ushtrie”? Kush tjetër përpos M. Eminit. Ambiciet e Sigurimit Shtetëror të Maqedonisë nuk ndaluan këtu, por deshën ta fusin në lojë edhe shtetin shqiptar për t’i paraqitur revoltat e pritura të shqiptarëve si të importuara nga shteti Shqiptar, njëkohësisht për ta paraqitur atë para opinionit ndërkombëtar si destabilizues të Ballkanit, por edhe duke u privuar shqiptarëve të Maqedonisë ndihmën që do tu vinte nga shteti shqiptar në atë kohë dhe në një të ardhme. Këtu u detyrua shteti shqiptar të ndërhyjë duke dërguar disa funksionarë politike të asaj kohe në Tetovë për të ofruar ndihmë fraksionit tanimë të krijuar në luftën e tyre për të demaskuar “Aferën e armëve” si lojë të rrezikshme të disa individëve në udhëheqjen e ngushtë të PPD-së. Për të demaskuar këtë lojë, emrat e disa individëve të përfshirë në këtë lojë u publikuan në një reagim zyrtar në Radiotelevizionin Shqiptar. Rufi Osmani këtë ndërhyrje e quan “përçarje të subjektit të parë politik PPD si produkt i një marrëveshjeje të ish presidentëve S. Berisha dhe K. Gligorovit, si një pazar të tyre për të mbuluar aferën e armëve”. Por Rufiu nuk sqaron se pse do duhej shteti shqiptar në atë kohë të përkrahte do djem të rinj, pa pushtet, pa ndikim, pa para, për të kontrolluar popullatën shqiptare në Maqedoni, kur një gjë të tillë mund ta bënte fare mirë me ndihmën e ministrave dhe deputetëve të PPD, të instaluar në pushtet dhe të besuar të Kiro Gligorovit?!
Pas kësaj, kur Shërbimi i Sigurimit Shtetëror pa që loja u dekonspirua, pasuan arrestimet, ku forcat policore të përcjellur nga disa “komandantë” të “ushtrisë” shkonin derë më derë duke kërkuar nga shqiptarët që kishin pranuar “mobilizimin” të dorëzonin armët sipas numrave serik që ata i kishin të evidentuar në listat e tyre! Kur ndonjëri nga shqiptarët e shkretë, i befasuar dhe mosbesues me këtë “precizitet të dhënash” mundohej të taktizonte, dilte nga makina e policisë “komandanti” përgjegjës për atë zonë dhe thoshte “jepe armën se na kanë kallxu!”. Kjo rezultoi me arrestime të shqiptarëve atdhetarë, të pastër dhe të sinqertë por edhe me farsa arrestimesh të “komandantëve” për të mbuluar gjurmët e involvimit të Sigurimit Shtetëror në këtë aferë.
Çfarë dëmi politik solli “përçarja” e PPD-së për vetë PPD-në dhe për shqiptarët e Maqedonisë? Për vetë PPD-në, asnjë dëm! Ministrat dhe deputetët u ndanë nga Kuvendi Qendror me anëtarë të pakënaqur me punën e tyre, dhe shkuan drejt e tek Kuvendi Qendror “legjitim”, i parapërgatitur që më herët, pa çarë kokën për ca djem të rinj, pa pushtet, pa para, pa ndikim në atë kohe. Dhe PPD vazhdoi ta bënte atë që bënte edhe para “përçarjes” – t’u shërbente agjendave të pushtetit edhe me tutje, dhe të bënte punën e dekorit në parlament dhe qeveri. Çfarë dëmi solli “përçarja” për popullatën shqiptare në Maqedoni? Shqiptarëve të Maqedonisë nuk u duhej atëherë, e nuk u duhet as tani, unitet në legjitimimin e agjendave antishqiptare të pushtetit maqedonas, e as unitet në nënshtrim ndaj këtyre politikave. Përkundrazi shqiptarëve u duhej “përçarja” me ata që për interesa personale shisnin interesat dhe të ardhmen e shqiptarëve. Shqiptarëve u duhej një zë që do të demaskonte këtë dhe do të artikulonte vullnetin dhe kërkesat reale të popullit, e jo të klaneve në shërbim të pushtetit.
A thua Rufiu nuk i di këto gjera, apo duhej përshtatur me versionin e pushtetit maqedonas për të ngjitur shkallët e karrierës politike?
Cila është e vërteta rreth ngjarjeve të Gostivarit të 9 korrikut 1997, dhe cili ishte roli i Rufi Osmanit? Duke ditur shpirtin atdhetar dhe guximin e popullatës shqiptarë të Gostivarit me rrethinë, të treguar edhe më parë në historinë e shqiptarëve të këtyre trevave, është e lehtë për ta kuptuar motivin e tyre për të protestuar më datë 9 korrik 1997. Edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun, protesta ishte një rebelim kundër pushtetit, nxitur nga një pakënaqësi e thelle dhe zemërim të akumuluar ndaj keqtrajtimit të egër dhe të vazhdueshëm nga ana e pushtetit, por edhe për statusin dhe perspektivën tyre në këtë shtet. Por cili ishte motivi i Rufi Osmanit? Natyrisht, si gjithmonë egoist dhe karrierist. Në garën e bajraktarizmit me M. Thaçin për të qenë më “Skenderbe” se ai, nxitoi që të ishte ai i pari që do ngrinte flamurin duke inicuar dhe trimëruar këshillin komunal në vendimin për përdorimin e flamurit shqiptar krahas atij maqedonas. Jo më kotë, ambasadori i Amerikës në atë kohë e quajti “local sherif”. Por Rufiu, sipas vetë deklaratave të tij, fill pas kësaj filloi pazaret me pushtetin e atëhershëm, duke tentuar që të zbuste reagimin e tyre të pritur. Ashtu siç bënin gjithmonë pushtetet antishqiptare në Maqedoni, Cërvenkovski e mashtroi Rufiun kinse do të gjenin një zgjidhje, por në ndërkohë planifikoi një “leksion” për shqiptarët “e pabindur” të Gostivarit, me miratimin në heshtje të PPD-së “së përçarë”. Me një aksion në orët e hershme të mëngjesit, forca të shumta policore arrestuan Rufi Osmanin bashkë me kryetarin e Këshillit Komunal, dhe në vazhdim, me një egërsi të paparë masakruan popullatën që doli për të protestuar. Po atë ditë, vranë tre shqiptarë dhe ushtruan dhunë çnjerëzore në mbi njëmijë qytetarët shqiptarë të Gostivarit, mu në qendër të Gostivarit, gjatë gjithë natës pas protestave.
Derisa ndodhej në paraburgim, para gjykimit, Crvenkovski e mashtroi për herë të dytë Rufiun, dhe këtu doli në dritë personaliteti i vërtetë i tij. Joshur nga premtimi se nuk do të dënohej me burg, harroi të vrarët dhe mbi një mijë të torturuar në mënyrën më ç’njerëzore gjatë protestave, dhe këtë pushtet, që thjesht ekzekutoi pa gjyq, mu në mes të qytetit, ne pikë të ditës, të rinj të pa-armatosur që protestonin pa dhunë, e quajti shembull tipik të shtetit juridik! Por natyrisht, Crvenkovski nuk e mbajti fjalën dhe Rufiu përfundoi në burg.
Të dy palët, si pushteti maqedonas ashtu dhe shqiptarët dhanë mesazhe shumë të qarta për ata që duan të kuptojnë, si në revoltat e përgjakshme të Gostivarit, ashtu dhe në revoltat e tjera të përgjakshme si Brodeci, vrasja e Harunit me shokë, masakra e Kumanovës e shumë të tjera. Pushteti dëshmoi për të satën herë se popullatën shqiptare dhe territoret ku ata jetojnë i trajton si koloni, dhe shqiptarët dhe lëvizjet e tyre i sheh vetëm përmes syzave të Sigurimit Shtetëror dhe përmes nishanit të armës. Ata nuk duan, por edhe po të donin nuk do mundeshin për shkak të barierave gjuhësore dhe kulturore ti prijnë kësaj popullate në emancipimin e tyre, të plotësojnë nevojat e tyre për arsimim të mirëfilltë, për kulturë, shkencë etj.
Por edhe shqiptarët dhanë mesazh të qartë që ata këtë shtet nuk e konsiderojnë si të tyrin, por të huaj, të imponuar në vend të shtetit të tyre etnik ku ata do të jetonin bashkë me vëllezërit dhe motrat e tyre nga të cilët i ndajnë kufij politikë artificial, që sot do të duhej të ishin të pakuptimtë në kohën kur fjalori politik i përfaqësuesve të tyre është i mbushur për të ardhmen e afërt të Evropës pa kufij. Që është më e rëndësishmja, shqiptarët në të gjitha këto revolta të përsëritura dhanë mesazhin e qartë se ata nuk do të pajtohen kurrë me një realitet të tillë.
Nga politikanët shqiptarë në pushtet dhe ata që synojnë me çdo kusht postet e pushtetit, nuk pres të nxjerrin mësim nga këto mesazhe shumë të qarta që dha populli, sepse tani më është e qartë për të gjithë se ata e bëjnë këtë për përfitimet që u sjell të qenit në pushtet duke qenë të vetëdijshëm për dëmin që shkaktojnë. Por nga të rinjtë, studentët, intelektualët, prindërit, nënat – po! Pres që posaçërisht këta të fundit të kuptojnë dhe të vetëdijesohen se nuk mund të ndërtojnë mirëqenien e tanishme me koston e dëmtimit të të ardhmes së fëmijëve të tyre!
Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>