Ish IRJM- dërrasa e kalbur ku shkeli Albin Kurti

“Të mira dhe të qëndrueshme” i cilësoi z. Kurti, marrëdhëniet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe “të hapur, të sinqertë dhe serioz” takimin e para do ditëve me homologun maqedonas, në konferencën e përbashkët për shtyp,  me “partnerin e koalicionit të LVV ” në ish IRJM, z. Mickovski.

Por e vërteta është se ky takim ishte gjithçka tjetër përpos i sinqertë, e aq më pak miqësor!

Në konferencën për shtyp, Mickovski plasoi lajmin manipulues, ndaj të cilit i gjithë opinioni u shpreh mosbesues, përveç z. Kurti, i cili me heshtjen e tij e miratoi atë: “Kemi informacione që i kemi marrë nga disa kanale, se kjo udhëheqje e BDI-së, në përpjekje për ta mbrojtur kapitalin që e ka krijuar në 20-22 vitet e fundit, do të ndërmarrë hapa në drejtim të destabilizimit të shtetit”! Kjo deklaratë e Mickovskit, e cilësuar nga i gjithë opinioni publik si joserioze dhe me synim shpërqëndrimin e vëmendjes nga keqqeverisja i shërbeu atij për të përcjellë mesazhe kërcënimi për gjithë shqiptarët, në ish -IRJM, Shqipëri e në veçanti për ata në Kosovë.

Si Albini që heshti, ashtu edhe Mickovski, e dinë shumë mirë se është pikërisht “kapitali i krijuar”  që nuk e lë udhëheqësinë e BDI të ndërmarri aktivitete për të destabilizuar shtetin e ish- IRJM. Se lekët e korrupsionit mbrohen më së miri duke shërbyer pushtetit, tani në duart e VMRO, e jo duke e luftuar atë! Se Artan Grubi tani, ashtu si Izet Mexhiti deri dje, dhe shumica e të tjerëve në udhëheqësinë e BDI, të cilëve faktikisht Ali Ahmeti ua la në dorë BDI-në, nuk kanë luftuar dhe sakrifikuar ndonjëherë në jetën e tyre! Por përkundrazi, kanë shërbyer dhe akoma mund t’i shërbejnë shumë mirë pushtetit, tani në duart e Mickovskit.

Dhe ishte pikërisht ky mesazhi i parë i Mickovskit, dërguar udhëheqësisë së BDI: duke i shpallur publikisht armiq të shtetit që kërcënojnë “integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut”, ju dha atyre dy rrugë për të zgjedhur: o burgun, o t’i shërbejnë Mickovskit. E nuk do shumë mend për t’ja qëlluar se çfarë do të zgjedhi udhëheqësia e BDI!

Mesazhi i dytë i Mickovskit, përmes deklaratës drejtuar më shumë opinionit të jashtëm se sa atij të brendshëm: “Nuk përjashtohet mundësia që disa grupe të manipulohen në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin”, kishte për qëllim diskreditimin dhe devalvimin e UÇK dhe luftës së drejtë të shqiptarëve më 2001. Pra, sipas Mickovskit dhe Albinit që heshti kur Mickovski e deklaroi këtë, luftën e 2001 nuk e bënë shqiptarë të vetëdijshëm për rrezikun për jetën e tyre, të detyruar për këtë hap për shkak të shkeljes së të drejtave të tyre njerëzore dhe kolektive, por  “disa grupe që u manipuluan në mënyrë të pandërgjegjshme”nga “kosovarët e këqij” të UÇK-së.

Mesazhi i tretë i Mickovskit, ishte kërcënimi drejtuar gjithë shqiptarëve: ata në ish- IRJM të mbyllin gojën për padrejtësitë, që sipas paralajmërimit të VMRO gjatë fushatës zgjedhore, tani do të vazhdojnë  me intensitet të shtuar, e ata në Kosovë, të mos guxojnë të përsërisin atë që bënë më 2001, duke ndihmuar vëllezërit e tyre në ish IRJM.  E sjellja e Albin Kurtit ishte modeli i pranueshëm shqiptarit, të cilin Mickovski e prezantoi në konferencën për shtyp.

“Një përvojë e rëndë për Vjosa Osmanin”, pra jo edhe për Albin Kurtin, shtetin e Kosovës dhe gjithë  shqiptarët – kështu e cilësoi ai incidentin në aeroportin e Shkupit, ku pushteti në duart e VMRO dha një mesazh të qartë shqiptarëve, përmes keqtrajtimit të presidentes dhe komandantit të forcave të armatosura të Kosovës.  Për Albin Kurtin ky incident nuk ishte fare provokim dhe poshtërim i shtetit të Kosovës, dhe me këtë i gjithë shqiptarëve, por si i tillë mund të jetë konsideruar nga “dikush prej qytetarëve”. Sepse ai “nuk e di” që ndonjë nga institucionet e shtetit ta ketë konsideruar këtë ngjarje si të tillë (“vetëm” presidenca e Kosovës). Me këtë sjellje, Albin Kurti, i shtyrë nga deliri i madhështisë tani gjithnjë më i dukshëm në sjelljet dhe veprimet e përditshme të tij, i dha vetes atributet e “mbretit” që nuk pyet as për parlament, as për presidencë. E me krisjet e fundit me Vjosa Osmanin, e posaçërisht me incidentin në aeroportin e Shkupit militantët dhe tifozët e Albin Kurtit, të cilët nuk mund ta imagjinojnë jetën e tyre pa kulte personaliteti, mbetën jetim, pa “nënën e kombit” – vetëm me “baba të kombit”.

Ndërkohë huni u thye përsëri në shpinën e Afrim Gashit. Nga joshja për para dhe pushtet u detyrua të bëhet fetar, pas incidentit me duanë në parlament u detyrua të bëhet sekularist, e tani për t’i shpëtuar përgjegjësisë për incidentin me truprojat e tij në aeroport, kushedi se çfarë do të jetë i detyruar të bëhet.

Përshkrimin më të sinqertë të realitetit politik aktual, qëndrimit të VMRO ndaj shqiptarëve dhe pozitës së shqiptarëve në ish- IRJM, e jep Petar Bogojevski, një ish funksionar i VMRO: “interesi kombëtar i Maqedonisë, kauza maqedonase, kërkon që Afrim Gashi (VLEN) për momentin të jetë, aty ku është…”.

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>