Ditëve të fundit, në prag të zgjedhjeve lokale në IRJM, në media na u prezantua një estradë, në dukje humori, por në fakt shqetësuese, dhe që na jep të kuptojmë shumë fenomene. Në këtë estradë defiluan aktorë të vjetër dhe të rinj duke filluar nga Ali Ahmeti, Zijadin Sela, e deri tek Milikija, kandidate për kryetare të Haraçinës nga LSDM. Kjo e fundit rolin në komedi e realizoi pothuajse pa folur fare, ngase nuk arriti të shqiptojë deri në fund asnjë nga fjalët shqip të mësuara përmendësh.
Shfaqja filloi me deklaratën patetike të Ali Ahmetit, dhënë Blendi Fevziut në emisionin Opinion, ku, në mes tjerash deklaroi se është i gatshëm të dalë ne ilegalitet poqese paraqitet nevoja. Në përgjithësi, Ali Ahmeti preferon të flasë me nostalgji, siç shprehet vetë, për “të shkuarën në ilegalitet”, përveç tjerash, sepse ndjehet i rrezikuar kur flet për të tashmen. Kur gazetarët e pyesin për të kaluarën i qesh fytyra, i lehtësuar që shpëtoi nga pyetjet e sikletshme për të tashmen, por edhe sepse “ilegalitetit” ishte parajsë për njerëzit me shumë pikëpyetje mbi rolin e tyre në zhvillimet politike siç është ai. Por, kjo deklaratë në veçanti, do të konsiderohej e papërgjegjshme dhe qesharake po të mos bëhej fjalë për kreun e BDI, një forcë politike që gjatë 10 viteve bashkëqeverisje me VMRO, bashkëpunoi ngushtë me shefin e Sigurimit Shtetëror të IRJM, Sasho Mijalkov. Do të qeshnim dhe do ta quanim të papërgjegjshme deklaratën e këtij politikani i cili nxit shqiptarët e pakënaqur për ilegalitet, po të mos bëhej fjalë për individin i cili gjatë bashkëqeverisjes 15 vjeçare dha pëlqimin për ekzekutimin pa gjyq, dhe masakrimin e shqiptarëve në Brodec, Shkup dhe së fundmi në Kumanovë, pikërisht duke i quajtur viktimat ekstremistë dhe ilegalë (jashtë ligjit).
Do ta quanim të papërgjegjshme edhe deklaratën me po të njëjtat dozë patetizmi të Zijadin Seles, kreut të LRPDSH, gjatë konventës promovuese të kandidatëve para pak ditësh në Tetovë, po të mos shtroheshin pyetje dhe dyshime serioze rreth kësaj deklarate. “Shqiptaria mbrohet në Strugë, Likovë, mbrohet në Manastir e mbrohet në çdo vend ku ka shqiptarë. Shqiptarët do ta mbrojnë atje dhe jo politikanët që shohin vetëm interesat e tyre personale”, deklaroi Zijadin Sela, përndryshe politikan në vazhdimësi që nga viti 2011! Shtrohet pyetja, nga kush fton Sela shqiptarët ta mbrojnë shqiptarinë? Nga qeveria, ku LRPDSH ka një ministër dhe tre zëvendësministra?! Nga LSDM apo BDI me të cilët ra dakord para formimit të qeverisë së koalicionit, për të mos prekur karakterin unitar të shtetit dhe kushtetutën si burim i nënshtrimit të “shqiptarisë”?! Nga Zoran Zaev, për të cilin desh dha jetën në parlament?!
Te dy liderët e partive në pushtet, përdorin këtë retorikë politike patetike duke nxitur shqiptarët për të mbrojtur atë që ata e shitën në tavolinën e bisedimeve me LSDM, të vetëdijshëm që ka pakënaqësi tek shqiptarët e mashtruar nga ata vetë. Përdorin këtë retorikë politike të bindur që mund të funksionojë për të mbledhur vota! Ndërkohë, për ata më të guximshmit, që shkojnë më larg, kujdeset Zaevi.
Roli i Zaevit, për fat të keq, mbetet po ai i paraardhësve të tij. Heshtja e Zaevit për këto deklarata tregon akoma më shumë! Tregon se edhe ai është pjesë e lojës ku Ali Ahmeti, Zijadin Sela e të tjerë si ata, nxisin shqiptarët për të “dalë në ilegalitet”, dhe për të “mbrojtur shqiptarinë”, e nga ana tjetër Zoran Zaev pret me kërbaçin në dorë për të goditur ata më të guximshmit, duke filtruar shqiptarët e urtë dhe lojalë dhe për të ndërtuar IRJM. Në të njëjtën kohë, vazalët e tij shqiptarë kujdesen për prurjet e reja në politikë, duke u kujdesur në përzgjedhjen e injorancës provinciale, si shtresa më e pranueshme e shqiptarëve për LSDM dhe Zaevin.
Me këtë filtrim, në IRJM-në e re do jetonin të lumtur me sllavomaqedonasit, shqiptarë kuislingë jugonostalgjikë, me model Edmond Ademin, kuislingë me aureolën e besimtarit, me model Muhamed Zeqirin, injorantë me mentalitet provincial, të lumtur për miqësinë me Zaevin, me model Milikijen, dhe skllavët kokëulur që përfshijnë “intelektualët” pa guximin e intelektualit, studentë të zhveshur nga energjia, vrulli dhe këmbëngulja rinore, dhe të tjerët që e kanë mendjen të ikin nga sytë këmbët.
Është i pritur dhe domethënës veprimi i Zaevit, i cili, si edhe paraardhësit e tij, mbylli të gjitha rrugët për marrëveshje me shqiptarët që nuk duan të keqpërdorojnë dhe përfitojnë nga e tashmja ne dëm të zgjidhjeve afatgjata. Ai dhe zgjodhi të kursejë faktorin politik shqiptar të inkriminuar duke mos i bërë publike dosjet e tyre dhe të bëjë koalicion me ta, duke qenë i sigurt në lojalitetin e tyre. Ai zgjodhi bashkëpunimin me mashtruesit dhe injorantët me mentalitet provincial si përfaqësues të shqiptarëve.
Afrim Fanda