Sa naive është të besosh se SHBA dhe BE refuzuan të japin “Agrément” -in, për Teuta Arifin si ambasadore e ish IRJM, për shkak të borxhit të lartë dhe kontratave abuzive në vepër derisa ishte kryetare e Komunës, po aq naive është të besosh se Tetova u katandis në këtë gjendje vetëm gjatë mandatit të Teutës. Aq sa është naive edhe të abstrahosh rolin e pushtetit qendror (herë në duart e LSDM e herë në duart e VMRO) në degradimin e qyteteve shqiptare në ish IRJM. Athua SHBA dhe BE nuk e dinë të vërtetën publike në media, se i gjithë shteti është i mbytur në borxhe dhe kontrata abuzive me administratorë që marrin paga pa shkuar në punë!?
Arsyen e vërtetë të refuzimit, duhet kërkuar më thellë, tek refuzimi për të dhënë “Agrement”-in edhe për ish ministrin e brendshëm Ljubomir Frckoski, që vrau qytetarë shqiptarë të pafajshëm gjatë protestave të Shkupit, e edhe për drejtorin aktual të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ish Drejtor i Agjencisë për Zbulim) Viktor Dimovski.
Por çfarë e dallon dhe çfarë ka të përbashkët Teuta Arifi me përfaqësuesit e tjerë politikë shqiptarë të pozitës dhe “opozitës”? E përbashkëta është motivi i përfitimit material për angazhimin e tyre në politikë, gjë që detyrimisht i shtynë herët a vonë në vepra kriminale korruptive, të ndihmuar “paksa” edhe nga UDB-a. Ndërsa e vetmja gje që i dallon është se, ca janë lecka për përdorim politik, tani më të konsumuara dhe të skaduara, gati për t’i hedhur në kosh, e të tjerët kanë akoma edhe pak afat përdorimi.
Afrim Fanda