Integrimi i shqiptarëve në pushtet është lojë që ndiqet nga pushteti që nga koha e ish Jugosllavisë, kur një pjesë e shqiptarëve, të cilët në atë kohë opinioni sllav i quante “poshteni albanci” (“shqiptarë të ndershëm”) u inkuadruan në nivele të ndryshme të pushtetit dhe arritën deri në nivelet më të larta të saj. Për këta “shqiptarë të ndershëm” pushteti i atëhershëm siguronte një jetë të mirë në elitën e asaj kohe, ndërsa për pjesën tjetër, sidomos për atë që guxonte të shprehte pakënaqësinë ndaj sistemit, ushtroheshin represalije. Derisa në Kosovë kriteri për “shqiptar i ndershëm” here bëhej më i ashpër e herë më i butë, posaçërisht para demonstratave të viti 1981, për shqiptarët e IRJM ky kriter ishte gjithmonë i ashpër, dhe nga këta kërkohej lojalitet dhe zell i padiskutueshëm për të shërbyer.
Pas ndryshimit të sistemit dhe pas pavarësisë së IRJM, pushteti në duart e sllavomaqedonasve nuk hoqi dorë nga kjo lojë dhe vazhdoi të mobilizonte “shqiptarë të ndershëm” për t’i inkuadruar në mënyrë selektive, në nivele të ndryshme të pushtetit.
Përmes Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, ia arriti të të kultivonte klasën politike shqiptare që tani do bënte punën e tyre në mobilizimin e “shqiptarëve të ndershëm”, por këtë here në emër të një “fryme të re, demokratike” dhe në emër të “së drejtës për hisen e pushtetit që u takon shqiptarëve”. Duke mos u pranuar si shtetformues dhe bartës të sovranitetit, shqiptarët e integruar në institucionet e shteti, me apo pa vetëdije, thjesht u vunë në shërbim të sllavëve pronarë të shtetit, e jo në shërbim të popullit të tyre. Nëse në atë kohë shqiptarët që futeshin në shërbim të pushtetit në duart e sllavëve me këto kushte quheshin spiunë, tani i njëjti shërbim mori aureolën e “demokratizimit” e bile edhe “patriotizmit”. Ata që e kundërshtonin këtë fenomen etiketoheshin si nacionalistë, radikalë, anti-perëndimorë, individë me ide të vjetëruara, etj.
Shembull i përsosur i këtij fenomeni është “shqiptarja e ndershme“ Fatime Fetau, njëra nga prokuroret speciale, me një detyrë të një peshe të madhe për të sjellur para drejtësisë politikanët e korruptuar.
Në prononcimet e këtyre ditëve në media të gazetarit të njohur sllavomaqedonas Branko Geroski dhe aktivistes së njohur të drejtave të njeriut profesoresha Mirjana Najçeska, ata e treguan Fatime Fetain, prokuroren shqiptare në Prokurorinë Speciale të IRJM ne dritën e saj te vërtetë – një ordinere provinciale e vetëkënaqur, një imituese e yjeve te folk estrades serbe me sjelljet e saja në publik, dhe nje luftëtare fallco për drejtësi, pa asnjë rezultat të dukshëm deri tani.
Por, përshkrimi që i bënë asaj dhe që, në fakt, qëndron për shumë nga ata të llojit të saj, është vetëm gjysma e të vërtetës për Fatimen.
Nëse deri dje, shqiptarët pothuajse ndërtuan kultin e heroines për drejtësi të munguar nga kjo prokurore shqiptare, sot, per dallim nga këta të dy intelektualë sllavomaqedonas, shqiptaret tek ajo shohin fenomenin “Fatime” që simbolizon modelin e shqiptarit mediokër, të etur për pushtet, me mendësi provinciale, të paarsimuar, ose të arsimuar por i paqytetëruar, që flet më mire sllavishten se sa shqipen, në gjendje të shkeli mbi bashkëkombasit për të arritur pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, duke u bërë i pëlqyeshëm për ta.
Njëkohësisht, fenomeni “Fatime” ndihmon për të kuptuar edhe preferencat e pushtetit në duart e sllavomaqedonasve, që nuk ndryshojnë nga ato të regjimit të kaluar, për shqiptarin “poshten albanac”,pra “shqiptar i ndershëm”. “Integrimi” i tillë i shqiptarëve në pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, nënkupton integrimin vetëm të modelit “Fatime” të shqiptarit.
Me nje shqiptar të tillë, “të integruar” që nga viti 2001 në poste të ndryshme, si ai i Ministrit të drejtësisë, gjykatësit në Gykatën Kushtetuese, dhe të avokatit të popullit ku vazhdon aktualisht, u vranë, u burgosën, dhe vdiqën në burgje shqiptarë në një sërë ekspeditash ekzekutuese pa gjygj dhe procese të montuara gjyqësore siç janë rasti i Sopotit (2003), rasti i Brodecit (2007), Egzekutimi I Harun Aliut me shokë (2010), Rasti “Monstra” (2012), Rasti i Kumanovës (2015) … Sot i njëjti habitet se të burgosurit e përleshjeve të armatosura të Kumanovës “qenkan torturuar”!
Disa shqiptarë të tjerë të “integruar” në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim të IRJM, i futën shqiptarët në grackën e Kumanovës për llogari të oligarkëve të të dy palëve në pushtet, duke shkaktuar një masakër të paparë në një shtet në gjendje paqeje.
Shumë shqiptarë të tjerë të “integruar” u lanë të lire në hajdutërinë e tyre në institucinet e shtetit në shkëmbim të shërbimit të aprovimit ose moskundërshtimit të politikave antishqiptare të klaneve sllavomaqedonase në pushtet, gjithmonë të ndërmjetësuar nga Drejtoria per Siguri dhe Kundërzbulimt të IRJM.
Por, sot shqiptarët e kanë të qartë se “integrimi” i tillë, që për shqiptarët solli vetëm dhunë, poshtërim dhe varfëri, u ofrohet nga sllavomaqedonasit në pushtet si zëvendësim per një marreveshje për të ardhmen e këtij shteti. Marrëveshje që do të mbështetej në realitetin ekzistues, pra, ne karakteristikat demografike, historike dhe politike dhe që do të sillte paqe dhe bashkëpunim mes popujve fqinj në këtë pjese të Evropës. Marrëveshje të qëndrueshme si ajo që mundësoi dhe mirëmbajti me shekuj paqen ne mes popujve gjerman, italian dhe francez në Konfederatën Zvicerane.
Që kjo lojë e rezikshme e integrimit të rejshëm dhe selektiv të shqiptarëve në pushtet nuk e zëvendëson dot marreveshjen për të ardhmen e IRJM, dhe nuk siguron zgjidhje dhe paqe afatgjatë, janë të vetëdijshëm edhe kryeministri Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij, por për momentin mendojnë se ia vlen. Deri kur?
Afrim Fanda