Mikut tim, shqiptar i pavendosur ne Kosoven e Ahtisarit

Miku im i dashur X. Vendosa të të drejtohem pa emër e mbiemër sepse për fat të keq nuk je i vetëm, dhe nuk dua që të të ngarkoj vetëm ty me dëmin që shkaktojnë çështjes shqiptare më shumë të tillë si puna jote, miq të mi shqiptarë të pavendosur në Kosovën e Ahtisarit. Dhe duke t’u drejtuar ty, u drejtohem të gjithë këtyre miqve të mi, që me, apo pa vetëdije dëmtojnë të ardhmen e shqiptarëve në Kosovë në veçanti, dhe gjithë shqiptarëve në përgjithësi.
Mora shkas për të t’u drejtuar, nga reagimi yt i ditëve të fundit, me rastin e heqjes së flamurit kombëtar dhe zëvendësimin e tij me atë leckën e Ahtisarit te sheshi Idriz Seferi, rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës.
Ne, miku im, njihemi prej shumë kohësh, që nga koha kur si studentë shqiptarë të të gjitha qyteteve shqiptare, dolëm bashkë në demonstratat e përgjakshme në Prishtinë me kërkesën e kohës, për avancimin e statusit të Kosovës në Republikë, në atë kohë Krahinë Autonome e R. Serbisë në Jugosllavinë e atëhershme. Por gjithmonë, në mendje dhe zemër kishim ëndrrën dhe synimin për bashkim kombëtar.
Bashkë me shokë të tjerë, krijuam organizata ilegale që mbulonin të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, për të luftuar kundër pushtimit serbosllav, përsëri me ëndrrën dhe vendosmërinë e palëkundur për t’u bashkuar në një shtet Shqiptar.
Bashkë me shokët tjerë, në lulen e rinisë, mbushem burgjet e Jugosllavisë. Bashkë ndamë bukën e gojës në burg dhe duruam torturat e xhelatëve sllavë. Mbajtëm kokën lartë dhe nuk u dorëzuam kurrë. Ndërkohë, këshilltarët e këtyre që voton ti sot, bënin karrierë në shërbim të sllavëve.
Bashkë pajtuam gjaqet nëpër gjithë fshatrat e Kosovës dhe shumë qyteteve tjera shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme. Edhe atëherë të dy kishim bindjet dhe synimet e palëkundura të bashkimit kombëtar, për të cilin ishim gati edhe të luftonim.
Dhe erdhi edhe ajo ditë. Bashkë luftuam në Kosovë, Preshevë e Bujanovc, dhe në fund në IRJM. Shumë shokë tanë dhanë jetën për ëndrrën e bashkimit kombëtar e jo për Republikën e Ahtisarit dhe i varrosëm të mbështjellur me flamurin kuq e zi, para të cilit dhe u betuam.
Dhe në fund, kur bashkë me ndihmën e aleatëve tanë shporrëm kolonizatorët dhe vrasësit serb nga pjesa më e madhe e Kosovës, dhe kur të huajt na imponuan atë shtet të pavarur nga Shqipëria por jo nga Serbia, pa te drejtë referendumi, pa të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me atë flamur dhe himn poshtërues dhe tallës, ti the se kjo është vetëm kalimtare, dhe se synimi yt dhe imi i vërtetë mbetej bashkimi kombëtar.
Por, me kohë, fillove ta arsyetosh atë pavarësi nga Shqipëria dhe atë leckë të Ahtisarit, si flamur të shtetit të Kosovës, dhe fillove të ndihesh krenar për ndërtimin e shtetit multietnik të Ahtisarit, duke e quajtur shteti i dytë shqiptar.
Fillove t’i besosh ato argumente idiote të fabrikuara nga jugokosovarët, këshilltarë të komandantëve injorantë, vegla të Serbisë, se është më mirë të kemi më shumë shtete, sepse me këtë mund të kemi më shumë vota në OKB. Edhe gjatë kësaj kohe akoma nuk hiqje dorë nga flamuri kombëtar dhe synimi për bashkim. Së paku kështu deklaroheshe vazhdimisht.
Me kalimin e kohës, dalëngadalë fillove me zell të angazhohesh në ndërtimin e institucioneve, shoqatave dhe kombëtares “kosovare”. Fute në punë familjarët e tu në institucione, në polici, në kufijtë që na ndanin, gjithmonë në shkëmbim të votës që jepje ca komandantëve injorantë, të kriminalizuar skajshmërisht, gjithmonë me arsyetimin e ndërtimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Dhe gjatë gjithë kohës heshte para vjedhjes së pasurive kombëtare dhe varfërimit të popullit tënd nga “komandantët”, të cilëve ti u’a jepje rregullisht votën.
Heshte para zbrazjes së qyteteve shqiptare të Kosovës “së pavarur” të Ahtisarit, në ndërkohë që nga enklavat serbe nuk ikte njeri.
Heshte para vrasjeve, marrjeve peng të afaristëve nga ana e këtyre “komandantëve” të cilët ti vazhdoje t’i admiroje.
Heshte edhe kur ata, të cilëve ua jepje votën filluan të bëjnë lëshime Serbisë në mënyrë që të lihen të qetë në veprimtarinë e tyre kriminale.
Heshte para dhurimit të territorit Malit të Zi, pa ç’ka se shtyje nga të duash dhe sa të duash atë kufi, përsëri mes shqiptarëve do të ishte.
Heshte edhe kur kriminelët dhe injorantët në pushtet shitën Serbisë territore në zemër të Kosovës, duke ndërtuar shtete serbe në mes të territorit të Kosovës.
Ti vazhdoje t’u jepje votën kriminelëve dhe injorantëve, duke quajtur radikalë ata të Vetëvendosjes, të vetmit që reagonin për këtë, dhe kënaqeshe kur këta të parët ndërsenin policinë kundër tyre, i burgosnin, e edhe i vrisnin në burgje.
Ndërkohë, këta që ti votoje vazhdonin të të jepnin vende pune për ty dhe familjarët e tu, e ndërkohë ata po bëheshin gjithnjë e më të pasur dhe më të pushtetshëm.
Përkrahe dhe votove komandantët injorantë të kriminalizuar kur liberalizimin e vizave vunë para çdo gjëje tjetër, edhe në vendimin për të dhuruar territor, e pothuajse edhe kushtin e ribashkimit me Serbinë për të arritur këtë. Harrove luftën, masakrat, kufomat e pakthyera, historinë, dëshmorët …
Me kalimin e kohës pothuajse pranove identitetin e “kosovarit” gjithmonë me arsyetimin e ndërtimit të shtetit multietnik të pavarur të Kosovës, edhe pse serbi, me të cilin ti doje ta ndërtosh këtë, nuk e pranoi kurrë.
Dhe kur këta kriminelë në pushtet, duke parë pavendosmërinë dhe oportunizmin tënd, ngritën policinë, dhe ta hoqën dhe grisën flamurin me të cilin të parët e tu dhe të mi luftuan, varrosën dëshmorët, festonin festat, merrnin nuset, … ti u preke, besoj sinqerisht. Reagove për heqjen e flamurit kombëtar, por përsëri kërkove që të qëndronin bashkë me atë leckën të cilin vazhdoje ta quaje flamurin e shtetit të Kosovës.
Dole me rastin e maskaradës së festimit të “pavarësisë”, në sheshin Skënderbe, me të cilën tallen gjithë popujt e Ballkanit, dhe poshtërove flamurin kombëtar duke e lidhur me atë leckën që as serbët nuk denjuan ta pranojnë. T’u mbushën sytë me lot, kur kryeministri komandant ia dha dhuratë leckën e Ahtisarit Rita Orës që në koncertin me rastin e maskaradës së “pavarësisë” performoi me pjesët intime të mbuluar kuq e zi, dhe ty kjo nuk të la përshtypje.
Dhe, i vetëdijshëm apo jo, ti më lëndove mua me të gjitha këto, vëllaun tënd shqiptar miku im. Sepse ma bëre të ditur se për ty nuk është i mjaftueshëm flamuri ynë kombëtar, që na bashkon neve të dyve, por deshe edhe një flamur tjetër, atë leckën, që të bashkon ty me serbin që na vrau mua dhe ty. Dhe aq më tepër, po ai serb tregoi më shumë dinjitet se ti, dhe nuk e pranoi kurrë atë leckë.
Më lëndove, sepse ma kujtove atë inspektorin e sigurimit shtetëror të Jugosllavisë së atëhershme që pas torturave fizike, vazhdonte me torturat psiqike: “Ju, shqiptarët këtu në Maqedoni, nuk keni asgjë të përbashkët me ata të tjerët. “Oni u Kosovu su kosovari, u Albaniji su albanci, a vi u Makedoniji ste shiptari” (ata në Kosovë janë kosovarë, në Shqipëri janë shqiptarë, ndërsa ju në Maqedoni jeni shiptari). Më lëndove dhe dëshpërove sepse nga goja jote dëgjova strategjinë e Sigurimit Shtetëror Serbe, që në atë kohë me dukej një ëndërr e tyre e parealizueshme, me të cilën në atë kohë qeshja me vetëbesim.
Më lëndove sepse më braktise në momentet më të vështira në fatin tim si shqiptar, në mëshirën e injorantëve, vrasësve dhe kriminelëve, të njëjtë me ata që voton ti. Më le në baltë që t’më burgosin, vrasin dhe të tjerët të vendosin të jetoj në shtetin e quajtur vetëm me emër sllav.
Por unë kurrë nuk humba shpresat. Sepse për dallim nga ty janë shumë shqiptarë të tjerë, që nuk bënë dhe vazhdojnë të mos bëjnë kompromisin moral që bëre ti. Ata vërtet vuajtën dhe vazhdojnë të vuajnë nga kriminelet në pushtet, të cilët ti i ndihmon me votën tënde për t’i rrahur, burgosur, e edhe për t’i vrarë, në ndërkohë që ti vëzhgon nga dritarja e vendit të punës që ta dhanë këta kriminele që voton ti. Por këta shokë të mi, e dikur edhe të tu, janë shumë të vendosur. Nuk mashtrohen kollaj dhe nuk heqin dorë kurrë nga ëndrra jonë, dikur edhe ëndrra jote.
E besoj se edhe ti një ditë do t’i thërrasësh mendjes. Sepse ti, nuk je si ata që me oportunizmin dhe naivitetin i voton.
Një ditë do ta kuptosh se pikërisht ti, dhe të tjerët si ti mbani përgjegjësin më të madhe, sepse me këtë qëndrim “as mish as peshk” ju maskoni dhe jep dekorin “patriotik” qëllimeve të errëta të jugokosovarëve në shërbim të shërbimeve të fshehta të serbisë, sot këshilltarë të komandantëve kriminelë në pushtet..
Një ditë do të brejë ndërgjegjja dhe do të kthehesh i skuqur nga turpi tek shokët e tu, shqiptarë të vendosur, sepse jam i bindur se ti nuk shkon aq larg sa këta kriminelë në pushtet.
E në qoftë se kjo nuk do të ndodhi, atëherë këtu miku im rrugët tona do të ndahen përgjithmonë.

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>