“Xhamitë janë kazermat tona, kupolat janë helmetat tona, minaret janë bajonetat tona dhe besimtarët janë ushtarët tanë.”... kështu u shpreh Taip Erdogan në një intervistë në vitin 1997, duke cituar poetin, filozofin dhe politikanin e njohur turk, Ziya Gökalp (1876-1924), i njohur ndryshe edhe si “babai i nacionalizmit turk” dhe “Mjeshtri i madh i turqizmit”, autor i librit “Parimet e turqizmit”. Kjo shkelje, në atë kohë të kufijve të rrepta të sekularizmit të Republikës Turke, i kushtoi atij postin e kryetarit të bashkisë dhe katër muaj burg, duke i dhënë njëkohsisht edhe statusin e heroit mes votuesve konservatorë.
Por, në fakt, Taip Erdogan në këtë intervistë vetëm se zbuloi një të vërtetë shekullore: përdorimin e Islamit si një mjet shumë efikas në shërbim të interesave të perandorisë osmane dhe në vazhdim, të shtetit turk, për nënshtrimin e popujve të tjerë.
26 vite më vonë, “besimtarë/ushtarë” të tillë shqiptarë, për të cilët fliste Erdogan në intervistën e tij, do të shkonin në Stamboll për të shprehur hapur, para kamerave, besnikërinë e tyre ndaj Taip Erdogan, Turqisë dhe turqizmit. “Unë jam djalë dëshmori, i burgosur politik dhe të njëjtën kohë, përkrahës i të gjitha etniteteve të cilët i takojnë një besimi të përbashkët i cili është i yni, ai islam. Kam kryer historinë, dhe mbi baza të historisë e shoh që të gjitha luftrat janë fetare dhe nuk janë kombëtare, dhe unë uroj që fitorja juaj t’i dridh të gjithë armiqtë që janë vërsul Turqisë dhe konkretisht liderit tuaj (Erdoganit)… uroj që fitorja juaj të sjellë fitore në të gjitha vendet ku jetojnë dhe punojnë muslimanët”. Kështu u prezentua dhe këtë deklaroi nënkryetari i Partisë “lëvizja Besa”, Fatmir Limani, i ndodhur në kuadër të një delegacioni të kësaj partie në selinë e partisë së Erdoganit (Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit) në Stamboll, në përkrahje të rikandidimit të tij për president, në zgjedhjet presidenciale ne Turqi.
Me këtë deklaratë, për të fituar simpatinë e “sulltanit” dhe partisë së tij, Fatmir Limani shiti dhe përbalti gjakun e të jatit, një nga organizatorët e luftës së UÇK, të vrarë nga policia e ish IRJM në vitin 1998, ashtu si dhe burgun e tij, duke e paraqitur atë dhe veten e tij si “shehidë” të njëfarë lufte kundër jobesimtarëve. Pasi, sipas vetë fjalëve të tij, të gjitha luftrat janë fetare dhe nuk janë kombëtare!
Në planin politik, kombëtar, ideatorët, krerët dhe financuesit e Lëvizjes “Besa” përmes thirjes për mosdurim fetar dhe luftë vëllavrasëse nga ana e nënkryetarit të tyre, dëshmuan dhe dokumentuan dyshimet e arsyeshme të shqiptarëve për rolin mercenar, destruktiv, përçarës dhe luftënxitës në shërbim të shteteve të huaja, të kësaj partie. Agjenda e islamit politik, e fshehur nën petkun e nacionalizmit të rejshëm shqiptar, e kësaj partie, ua servir në pjatë partive sllave në ish IRJM shqiptarët ortodoksë, për të vazhduar të qetë me asimilin e tyre, çvendos vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm nga të drejtat kolektive të munguara të shqiptarëve si grup etnik më i madh në ish IRJM dhe jep argumentin e gatshëm të gjithë fqinjëve agresor dhe grabiqtar, për të arsyetuar agresionin, terrorin dhe krimet mbi shqiptarët, si “luftë kundër terorizmit islamik”,
Njoftimi i para pak ditëve të organeve të rendit në ish IRJM për arrestimin e tre shqiptarëve në Shkup, për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe për armë dhe municione të gjetyra në shtëpitë e tyre gjatë bastisjes, duhet të na vetëdijësojë për rezikun real që u kanoset shqiptarëve nga individë dhe parti të cilët kanë në agjendën e tyre përhapjen e islamit politik, për llogari të shteteve të treta.
E gjitha kjo sqaron edhe heshtjen dhe mosreagimin e institucioneve të shtetit të ish IRJM në duart e partive sllave. Por çfarë sqaron heshtjen, mosreagimin e partive shqiptare për këtë skandal politik të rezikshëm?
Qeni leh atje ku ha, është një fjalë e urtë popullore që, në mënyrë metaforike, përshkruan dikë që mban pa të drejtë anën e atij, nga i cili ka përftime. Dhe mjerisht, në realitetin tonë politik, përsëri në mënyrë metaforike, përshkruan me saktësi rolin, dhe sjelljen e eksponentëve dhe klaneve udhëheqëse të partive shqiptare në ish IRJM.
Por, asgjë nuk sqaron indiferentizmin e institucioneve të shtetit shqiptar dhe të Kosovës ndaj militantizmit fetar të rezikshëm që përhapin partitë e tilla. Dhe akoma më shumë faktin shqetësues se kjo parti me agjendë të hapur të islamit politik, për një kohë të shkurtër, arriti të fitojë përkrahjen zyrtare të tre institucioneve më të rëndësishme të shtetit të Kosovës: kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Presidentit të Republikës, dhe Kreut të qeverisë! Është çështje e mosnjohjes së thellë të rrethanave politike të shqiptarëve në ish IRJM, moskokëçarje për fatin e një milion shqiptarëve autoktonë që jetonjë në një territor po aq sa Kosova, apo diçka tjetër!?
Afrim Fanda