Korrespondenti shumëvjeçar i gazetës prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, dr. Viktor Meier vdiq të shtunën në moshën 85-vjeçare.Me raportet, reportazhet, analizat dhe komentet nga Ballkani Meier ishte njëri prej zërave më të shquar në mbrojtje të popujve të rajonit nga hegjemonizmi i Beogradit. Fillimisht kishte punuar për gazetën Neue Zürcher Zeitung, pastaj nga viti 1975 deri më 1993, kur u pensionua, ai shkroi për Frankfurter Allgemeine Zeitung, raporton koha.net.
Ishte ndër gazetarët prijës perëndimorë që denoncoi terrorin serb në Kosovë dhe po ashtu ndër gazetarët e parë gjermanë që u lejua të vizitojë Shqipërinë në fillim të viteve 80-të.
Vitin e kaluar, presidentja Atifete Jahjaga e dekoroi me “Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr. Ibrahim Rugova”.
Me rastin e pranimit të urdhrit, Meier kishte deklaruar: “Republikës së Kosovës i uroj shumë fat dhe bekimin e Zotit”. (rtk)