Sot, më 24 shtator 2023, bëhen 44 vite nga ndarja nga jeta e babait tonë Nijazi /Abedin/ Fanda.
Gjithë jetën e tij, ai punoi me nder, sakrificë dhe përkushtim në profesionin e tij si arsimtar, me çka fitoi respektin e kolegëve dhe nxënësve të tij të shumtë.
Për veprimtarinë e tij atdhetare, në vitin 1950 u dënua, pa një proces të mirëfilltë gjyqësor, me vuajtje të burgut të rëndë në burgun famëkeq të Goli Otokut. Edhe pas daljes nga burgu, pushteti drejtpërsëdrejti por edhe me ndihmën e veglave të tij shqiptarë, ushtroi diskriminim dhe diferencimin “ideo-politik” ndaj tij deri në përfundim të jetës së tij, gjë që, për fat të keq, vazhdon edhe sot e kësaj dite ndaj familjes të tij.
Ne, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tu, jemi të bekuar dhe krenarë që të patëm prind dhe gjysh. Duke na edukuar dhe treguar qartë kufijtë mes të moralshmes dhe të pamoralshmes, na mësove si të jetojmë me nder dhe dinjitet, me kokën lart, pa i’u servilosur dhe pa i’u nënshtruar pushtetit antishqiptar dhe veglave të tij shqiptarë. Sot, jemi krenarë që edhe ne, pa hezituar, ndoqëm hapat e tua në rrugën tënde të drejtë, pavarësisht që edhe ne si ti, deri tani nuk arritëm t’a përfundonim misionin tënd dhe tonin, në zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Fatmir Fanda, Afrim Fanda, Vasfi Fanda, Lora Fanda, Lek Fanda, Bled Fanda, Lisa Fanda, Arb Fanda