Australia harton ligje të reja për të ulur përdorimin e cigareve elektronike

Cigare elektronikeCigaret elektronike fillimisht u promovuan si një mjet për të ndihmuar njerëzit të linin duhanin, por qysh atëherë ato janë shndërruar në një produkt popullor mes të rinjve. Qeveria federale e Australisë tani po synon të vendosë rregulla për përdorimin e tyre dhe të zvogëlojë numrin e të rinjve që e marrin këtë zakon.

 

Pasi ishte përdoruese duhani prej shumë vitesh, kjo grua në të 20-at filloi të përdorë cigare elektronike nëntë muaj më parë.

Ajo ishte kurioze të shihte nëse do t’i pëlqente dhe nëse do ta ndihmonte për të zvogëluar marrjen e nikotinës.

“Nuk më pëlqeu shumë në fillim, por kanë nikotinë. Pra, merr të njëjtën goditje dopamine që merr nga cigarja”, thotë ajo.

Deri tani, ajo ka ndjenja të përziera për cigaret elektronike. Rrobat pa erën e tymit të duhanit dhe përdorimi diskret janë padyshim një plus, por ajo nuk është aq e sigurt për sa i përket shëndetit të saj.

“Nuk e di nëse vërej ndonjë ndryshim në këtë fazë, sepse nuk ndihem më keq dhe, nuk ndihem dukshëm më mirë. Thjesht nuk kam dëshirë për nikotinë. Pra, kjo është ndoshta gjëja më e madhe – lashë duhanin, por jam ende e varur nga nikotina dhe vazhdoj ta përdor atë”, thotë ajo.

Kur dolën në treg më shumë se 15 vjet më parë, cigaret elektronike dukeshin si version plastik i cigareve të zakonshme dhe nuk ishin të njohura.

Ato fillimisht ishin menduar gjithashtu si një mjet për të ndihmuar njerëzit të ndalonin pirjen e duhanit.

Tani, tregtohen si një produkt relaksues dhe tërheqin të rinjtë.

“Adoleshentët, pra grupi i moshës 13 deri në 17 vjeç, janë disa nga përdoruesit më të mëdhenj të këtyre produkteve. Të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç, janë rritur me paralajmërime shëndetësore në paketat e cigareve, reklama kundër duhanit në televizion. Këto produkte janë për ta”, thotë profesoresha Becky Freeman nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin e Sidneit.

Tani për tani në Australi, është e paligjshme blerja, posedimi ose përdorimi i cigareve elektronike që përmbajnë nikotinë pa recetë nga një mjek.
Është gjithashtu e paligjshme shitja e këtyre produkteve te njerëzit nën moshën 18 vjeç.

Por importuesit dhe shitësit vazhdojnë t’i shesin si produkte ‘pa nikotinë’ që, sipas një hulumtimi nga projekti ‘Generation Vape’, nuk është e vërtetë në shumicën e rasteve.

“Nëse je një i ri, të shtyn të besosh se ka vetëm avull uji në këto produkte me pak shije dhe asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Ne e dimë nga studimet laboratorike se ato përmbajnë përqendrime shumë të larta të nikotinës”, thotë zonja Freeman.

Becky Freeman gjithashtu thekson se nikotina është shumë e dëmshme, veçanërisht për njerëzit nën moshën 25 vjeç, truri i të cilëve është ende në zhvillim.

Në maj, Qeveria Federale Australiane njoftoi reforma të reja për këto produkte që shpreson t’i prezantojë në parlament deri në fund të vitit.

Qëllimet kryesore të legjislacionit të propozuar janë që të lejojë shitjen e tyre në farmaci, të ndalojë të gjitha produktet pa recetë – pavarësisht nëse ato përmbajnë nikotinë apo jo.

Qeveria thotë se propozimi i saj synon importuesit dhe shitësit, jo konsumatorët.
Qëllimi kryesor i ligjit të propozuar është të vështirësojë sa më shumë që të jetë e mundur për fëmijët qasjen ndaj këtyre produkteve.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>