Greqia ka urdhëruar një bllokim tre-javor në të gjithë vendin për të ndihmuar kontrollin e një shtimi dramatik të infeksioneve me COVID-19. Kjo është mbyllja e dytë këtë vit, pas një rritje të papritur të infeksioneve këtë javë.
Sipas kufizimeve që hyjnë në fuqi të shtunën, bizneset e shitjeve me pakicë do të mbyllen, përveç supermarketeve, farmacive dhe bankave.
Grekëve do t’u duhen leje të autorizuara nga shteti për të dalë nga shtëpitë e tyre në kohë të caktuara. Ndërsa shkollat fillore do të qëndrojnë të hapura, shkollat e mesme dhe universitetet do të mbesin të mbyllura, duke operuar përmes mësimit në internet.
Në një konferencë shtypi në televizionin kombëtar, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se nuk kishte mundësi tjetër përveç ndërmarrjes së veprimeve agresive sepse virusi vdekjeprurës po përhapet me një shpejtësi alarmante.
Situata ndryshoi në mënyrë dramatike këtë javë, tha kryeministri. “Ne pamë që nivelet e infeksionit po rriteshin me një shpejtësi të frikshme në Greqinë veriore dhe pamë tendenca të ngjashme të shfaqeshin në të gjithë vendin.”
Nëse këto masa nuk do të merreshin tani, tha kryeministri, atëherë ngarkesa për sistemin e kujdesit shëndetësor do të bëhej aq e madhe brenda pak javësh, sa që mjekët do të duhej të kufizonin pranimet në njësitë e kujdesit intensiv.
Vetëm në pesë ditët e fundit, vendi ka shënuar 10,000 infeksione të reja, një e pesta e numrit të përgjithshëm të rasteve të dokumentuara që nga fillimi i pandemisë në atë vend.
Mesatarja ditore e rasteve të reja ë Greqisë është vetëm 17 për 100,000 banorë, krahasuar me 33 në Britani dhe 68 në Francë. Mitsotakis paralajmëroi, megjithatë se Greqia kishte më pak aftësi për t’u përgjigjur ndaj situatës.
Vetëm pak kohë pasi doli nga një krizë financiare shkatërruese 10-vjeçare, Greqia ndërmori veprime agresive në fillimin e pandemisë për të forcuar sistemin e saj të kujdesit shëndetësor të dobësuar, duke shtuar personel dhe pajisje mjekësore shumë të nevojshme për të përballuar krizën shëndetësore.
Ajo arriti të mbajë nën kontroll infeksionet në rreth disa dhjetra në ditë, me një vdekje për rreth 300 raste infektimi. Megjithatë kur filloi sezoni i verës dhe kufijtë u rihapën, grekët braktisën të gjitha masat e distancës fizike, duke u futur në bare dhe duke festuar pa kujdesje.
Rebelimi shoqëror ishte aq intensiv sa që një lëvizje që vinte në dyshim ekzistencën e pandemisë filloi të lulëzojë në të gjithë vendin, duke refuzuar mbajtjen e maskave.
Tani kryeministri Mitsotakis është nën kritika nga politikanët e të gjithë spektrit, që e akuzojnë atë për keqmenaxhim të krizës shëndetësore.
Të enjten, ai u duk se po kërkonte ndjesë.
“Ndoshta gabimi më i rëndë që bëmë,” tha ai, “ishte që u dorëzuam ndaj kësaj ndjenje lehtësuese që na kapi të gjithëve gjatë verës, duke menduar se pandemia kishte mbaruar dhe kishim shpëtuar prej saj.”
Zyrtarët qeveritarë parashikojnë që bllokimi i rreptë do të ndalojë përhapjen e virusit vdekjeprurës brenda një jave.
Ekspertët mjekësorë, megjithatë, presin që vala e re të përkeqësohet përpara se të fillojë të zbutet, dhe kjo mund të ndodh pas Krishtlindjeve dhe vitit të ri, kur parashikohen të prodhohet vaksina.
voa