Ekspertët po paralajmërojnë për rrezikun e rikthimit të SIDË-s, në se qeveritë dhe komunitetet nuk mbeten të fokusuara dhe të përkushtuara që t’i japin fund epidemisë. Megjithë arritjet në trajtimin e sëmundjes, eskpertët thonë se virusi vdekjeprurës vazhdon të përhapet dhe të përbëjë kërcënim serioz, sidomos në komunitetet ku arrihet me vështirësi:
Fytyra e SIDË-s ka ndryshuar në tre dekadat e fundit. Tani është e pamundur të dallohen personat e prekur nga sëmundja. Trajtimet kanë avancuar shumë, duke i lejuar personat e infektuar me atë që dikur shihej si dënim me vdekje, të kenë një jetë normale dhe produktive. Edhe personat që rrezikohen të preken nga virusi, tani mund të marrin ilaçin e quajtur profilaksia para ekspozimit me sëmundjen, shkurt PrEP ((prep)), në mënyrë që të mos preken nga virusi HIV. Ky ilaç është arma më e fundit e arsenalit mjekësor në rritje kundër SIDË-s.
“Ky ilaç është mjeti më i fundit i parandalimit që kemi patur ndonjëherë gjetë kërkimeve që janë bërë për vite me radhë dhe ajo që po shohim sot, është se në se kombinon trajtimet, në mënyrë që njerëzit që jetojnë me virusin të trajtohen dhe më pas, njerëzit e rrezikuar të kenë mundësi të marrin ilaçin PrEP, epidemia HIV mund të vihet nën kontroll.”- thotë Dr. Chris Beyrer, studjues në Universitetin Johns Hopkins.
Gjatë vitit të kaluar, epidemia e SIDË-s i ka marrë jetën rreth një milionë njerëzve dhe ekspertët parashikojnë që deri në vitin 2030, me virusin HIV do të infektohen 100 milionë njerëz.
Cilat janë arsyet? Vetëkënaqësia nga rezultatet e arritura bëri që fondet për kërkimet dhe trajtimin e sëmundjes të pakësoheshin, duke vështirësuar kontaktin me personat që rrezikohen të preken nga virusi. Faktorët të tjerë janë stigma për sëmundjen dhe pakësimi i interesit të qeverisë.
“Kur flasim me ministrat e financave, ata gjithmonë më thonë “E dinim që virusi HIV është zhdukur, se nuk po shohim të vdesë ndonjë njeri.”- thotë Dr. Deborah Birx, koordinatore e grupit U.S. Global AIDS.
Numri i infektimeve të reja ka rënë, krahasuar me 3 milionë e gjysëm milioni në vit, por ka mbetur pak nën 2 milionë. Tek rreth 17 milionë njerëz të infektuar me virusin HIV nuk mund të kihet akses, si burra homoseksualë, përdorues të drogave, punonjës të seksit dhe klientët e tyre, si dhe tek transgjinorët.
“Kjo pjesë e popullsisë dhe vajzat e reja përbëjnë mbi 50 për qind të të infektuarve rishtazi dhe kontakti me ta është tepër i vështirë.”- thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Morrison, Birx dhe Beyrer diskutuan mbi sfidat për t’i dhënë fund SIDË-s në Konferencën Ndërkombëtare të SIDË-s në korrik.
“Puna jonë me SIDË-n nuk ka marrë fund. Është tepër herët të deklarosh fitoren dhe rreziku për rikthimin e epidemisë është real.”- thotë Dr. Beyer.
Instituti Kombëtar i Shëndetit njoftoi krijimin e një programi ndërkombëtar, për gjetjen e mënyrave për pakësimin e stigmës që lidhet me SIDË-n, që të trajtohen një numër më i madh njerëzish. Agjencia zbuloi se në Shtetet e Bashkuara numri më i madh i të infektuarve me SIDË dhe të patrajtuar, është në mesin e të varfërve dhe tek komunitetet me ngjyrë dhe ato hispanike. Agjencia tha se mbyllja e hendekut në trajtimin e njerëzve është kritike për t’i dhënë fund SIDË-s në Shtetet e Bashkuara. (voa)