Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se vendi i saj do të ndajë tre milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo i bëri këto komente në përfundim të një takimi virtual me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Zonja Merkel, tha se i sheh gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme në Bashkimin Evropian “për arsye strategjike”.
“Është në vet interesin e Bashkimit Evropian që ta çojë përpara këtë proces”, tha zonja Merkel në një konferencë me gazetarë, pas përfundimit të takimit ku mblodhi për herë të fundit përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, duke lënë të nënkuptohet se po flet për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, por pa i përmendur ato.
Kancelarja Merkel tha se gjatë takimit virtual, presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte shprehur “shumë qartë” mbështetjen e tij për ardhmërinë evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit.
Në samit morën pjesë përfaqësues nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova si dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
“Përparësia jonë është të përshpejtojmë agjendën e zgjerimit dhe t’i mbështesim partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor në punën e tyre të përmbushjes së reformave të nevojshme për të përparuar në rrugën evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kancelarja Merkel ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga politika pas zgjedhjeve kombëtare të shtatorit në Gjermani, pavarësisht nga rezultatet e partisë së saj Demokristiane.
Samiti i Berlinit është një nga nismat e zonjës Merkel, e hedhur në vitin 2014 me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajioni në Bashkimin Evropian.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike e Politike në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se cilido që të jetë vazhdimi i këtij procesi në të ardhmen, do të duhej të përqendrohej më shumë në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Marrë parasysh edhe kontekstin politik në të cilin ndodhet Ballkani Perëndimor, posaçërisht Kosova dhe Serbia, besojmë që ky samit përpos temave specifike që i ka duhet ta ketë një fokus edhe te dialogu Kosovë-Serbi. Ndoshta Kosovës dhe Serbisë të tentohet t’i ushtrohet një lloj presioni diplomatik që të dyja të jenë të përkushtuara për normalizim të marrëdhënieve nëpërmjet procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.
Zoti Fetahu thotë se për shkak të mosbesimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmjet vete dhe ndaj Bashkimit Evropian, idetë që dalin nga nisma të tilla janë rrallë herë të zbatueshme.
“Kemi parë ta zëmë Maqedoninë e Veriut në rastin me Bullgarinë dhe Greqinë me ndërrimin e emrit dhe ende nuk është hapur kapitulli për anëtarësim. Po ashtu është Shqipëria që ka bërë një sërë reformash dhe Franca në njëfarë forme e ka bllokuar hapjen e kandidaturës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Edhe vendet veç e veç ndërmjet vete kanë pasur pak a shumë ndërskamcë nëse mund ta quaj dhe probleme historike, prandaj është pak problem edhe këto nismat rajonale të kenë një sukses shumë të madh me këtë shkallë të besimit që kanë shtetet ndërmjet vete”, tha zoti Fetahu.
Rrjedhimisht, thotë ai, është koha që Ballkanit Perëndimor t’i hapet rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nën ombrellën e të cilit, sipas tij, do të zhvillohej ky rajon në kuptimin politik, ekonomik e social.
“Pavarësisht ideve të mëdha si mini shengeni, ai ende nuk është implementuar dhe është në vazhdën e diskutimeve. Tash e disa vite Ballkani Perëndimor është duke u trajtuar me nisma të tilla rajonale edhe nga sponsorizuesi – Gjermania, por besojmë që është e udhës që Ballkanit Perëndimor t’i jepet drejtimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi që këto nisma rajonale më shumë deri tash i kanë shpërfaqur qëllimet dhe idetë e vendeve që janë më të forta të Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Fetahu.
Kosova vazhdon të jetë e fundit në rajon në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shëngen.
*Mbështetur edhe në agjencinë e lajmeve Reuters..
voa