Imunoterapia është një nga mënyrat më të reja me të cilën mjekësia po përpiqet të luftojë kancerin. Imunoterapia është një metodë që e ndihmon pacientin të luftojë kancerin përmes sistemit të mbrojtjes natyrore të trupit. Kjo metodë është shpresë-dhënëse dhe ka dhënë rezultate, por nuk është funksionale për të gjithë.
Kur Dennis Lyon shkoi në Qendrën për Kancerin në Universitetin e San Diegos të Kalifornisë, kanceri i tij i lëkurës kishte ndryshuar formë me dhjetra herë.
“Erdha këtu, pasi kisha shkuar në disa qendra kryesore të kancerit në vend. Kisha një lloj shumë të rrallë të kancerit të lëkurës që quhet karcinoma e qelizave bazë dhe shumica e tyre nuk më ofruan shumë përsa i përket mënyrës së trajtimit.”
Dy muaj më vonë, ai ishte në një gjendje krejt tjetër.
“Nuk kam patur tumore të reja për disa muaj dhe çdo tumor që kam patur më është zvogëluar ose është zhdukur në disa raste.”
Lyon është një nga pak pacientët e paktë me fat që e kanë luftuar kancerin duke marrë një mjekim që aktivizon sistemin imunitar për të luftuar sëmundjen.
“Ideja bazë që kanë të gjitha këto qasje të ndryshme në imunoterapi është riaktivizimi i sistemit imunitar të pacientit për të luftuar kancerin”, thotë mjekja Razelle Kurzrock.
Ilaçi zbulon qelizat kanceroze që mund t’u fshihen antitrupave që njihen si qelizat T, të cilat luftojnë sëmundjen.
“Tumori gjen një mënyrë për ta çaktivizuar sistemin imunitar dhe ilaçi nuk e lejon këtë,” thotë mjekja.
Kur qelizat T shohin një qelizë kanceroze, ato e sulmojnë. Por kjo nuk funksionon për të gjithë.
“Gjatë gjashtë apo shtatë viteve të fundit, kemi ndjekur prezantimin e këtyre ilaçeve në klinika mjekësore dhe kemi vërejtur ndryshim në jetët e disa pacientëve. Do ta theksoja të ‘disa pacientë’ pasi ende nuk janë shumica e tyre. Fatkeqësisht vetëm një pjesë e vogël e pacientëve reagon ndaj imunoterapisë”,thotë mjeku Len Lichtenfeld me Shoqatën Amerikane të Kancerit.
Ilaçet janë të shtrenjta dhe shkaktojnë disa efekte anësore. Në disa raste, ato mund të bëjnë që kanceri të rritet jashtë kontrollit, ose mund t’i nxisin qelizat T të sulmojnë pa dallim edhe qelizat e shëndetshme.
“Kur heqim frenat që ka vendosur kanceri, sistemi imunitar hidhet në sulm kundër kancerit, por ndoshta edhe kundër diçkaje tjetër në të njëjtën kohë.”
Mjekët në spitalin e Universitetit të San Diegos po krijojnë harta gjenetike të kancereve të ndryshëm për të parë sesi ato reagojnë ndaj ilaçeve të imunoterapisë. Kjo mund të çojë në krijimin e ilaçeve që do të venë në shënjestër kancere specifikë. (voa)