Kompania “Eli Lilly” ndërpret provat klinike për ilaçin kundër COVID-19

Labor testimeKompania me bazë në Shtetet e Bashkuara, “Eli Lilly” njoftoi të martën se prova klinike e ilaçit të saj antiviral kundër koronavirusit ishte ndërprerë nga ekspertë të pavarur “si një masë shtesë kujdesi”, por nuk dha hollësi të tjera.

Ilaçi, të cilën “Eli Lilly” po prodhon me firmën bioteknike me bazë në Kanada “AbCellera”, është pjesë e një klase trajtimesh të njohura si antitrupa monoklonalë, që veprojnë si qeliza imune që shkencëtarët shpresojnë se mund të luftojnë virusin. Terapia me antitrupa është e ngjashme me atë që iu dha Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pasi ai doli pozitiv me COVID-19 në fillim të këtij muaji.

Studimi, i cili nisi në gusht, kishte për qëllim të regjistronte 10 mijë pacientë vullnetarë me koronavirus të shtruar në spitalet në Shtetet e Bashkuara.

“Eli Lilly ” kishte paraqitur kërkesë në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve që ilaçi i saj të autorizohej me urgjencë për t’u përdorur për raste të lehta dhe të moderuara të infeksioneve me COVID-19, bazuar në rezultatet paraprake të një prove tjetër klinike të kryer më parë.

Një ditë para ndërprerjes së provave nga “Eli Lilly”, një kompani tjetër farmaceutike amerikane, “Johnson & Johnson” ndërpreu provat klinike të fazës së tretë të vaksinës së saj eksperimentale, pasi një pjesëmarrës u diagnostikua me një sëmundje të pashpjegueshme.

“Johnson & Johnson” sapo kishte nisur një provë në shkallë të gjerë të vaksinës së saj me një dozë të vetme që përfshinte 60,000 vullnetarë në më shumë se 200 zona në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës, duke përfshirë Argjentinën, Brazilin, Kilin, Meksikën dhe Afrikën e Jugut.

Prova klinike e vaksinës nga “Johnson & Johnson” është e dyta që ndërpritet për shkak të sëmundjes së një prej vullnetarëve.

Një kompani tjetër në Shtetet e Bashkuara, që po prodhon vaksinë kundër kovidit, “AstraZeneca”, që bashkëpunon me Universitetin e Oksfordit, ndërpreu në fillim të muajit të kaluar provat që ishin në fazën e tretë, pasi një vullnetar në Britani u diagnostikua me mielit tërthor, një sindromë inflamatore që prek palcën kurrizore dhe shpesh shkaktohet nga infeksione virale.

Provat kanë rifilluar në Britani, Brazil, Indi dhe Afrikën e Jugut, por ende jo në Shtetet e Bashkuara.

Banka Botërore tha të martën se ka miratuar një paketë prej 12 miliardë dollarësh për vendet në zhvillim për të blerë dhe shpërndarë vaksinat, testet dhe trajtimet për Covid-19.

Ndërkohë, gazetat New York Times dhe Washington Post thonë se administrata e Presidentit Trump ka përqafuar strategjinë e imunitetit të popullatës në masë, si mjet për të ndalur pandeminë e Covid-19.

Imuniteti në masë ndodh kur një popullatë është e mbrojtur nga një virus sepse është arritur një shkallë e gjëre imuniteti në shoqëri.

Gazetat thonë se zyrtarë të lartë të administratës, që nuk pranuan të identifikohen,u thanë gazetarëve të hënën se ata janë duke studiuar një strategji për të lejuar përhapjen e koronavirusit midis të rinjve të shëndetshëm, ndërsa mbrojnë të moshuarit dhe grupet e tjera të rrezikuara, në mënyrë që të mbajnë ekonominë e vendit në gjendje të mirë.

Zyrtarët cituan një peticion të titulluar “Deklarata e Madhe e Barringtonit” e postuar në internet më 4 tetor, që argumenton kundër masave kufizuese dhe injoron udhëzimet aktuale shkencore për frenimin e përhapjes së Covid-19, duke përfshirë përdorimin e maskave dhe distancimin fizik.

Peticioni thotë se strategjia, e quajtur “Mbrojtja e Përqendruar”, është “mënyra më e dhembshur që balancon rreziqet dhe përfitimet e arritjes së imunitetit të popullatës”. Autorët kryesorë të deklaratës përfshijnë Dr. Scott Atlas, një neurolog i cili është shfaqur si një nga këshilltarët kryesorë të Presidentit Trump për pandeminë.

Mbështetja eimunitetit në masë nga administrata e Presidentit Trump bie ndesh me një qëndrim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila e quan strategjinë jo-etike.

Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, u tha gazetarëve të hënën në Gjenevë se zyrtarët shëndetësorë duhet të përpiqen të arrijnë imunitet vetëm përmes vaksinimit, jo përmes ekspozimit të njerëzve ndaj virusit.

Autoritetet shëndetësore në Holandë thanë të martën se një grua 89-vjeçare është rasti i parë i njohur i dikujt që vdiq pasi u infektua me Covid-19 për herë të dytë. Studiuesit e pranojnë se sistemi imunitar i gruas ishte dobësuar nga trajtimi që ajo mori nga një formë e rrallë e kancerit të kockave.

Vdekja e holandezes 89 vjeçare përkon me një studim të ri që sugjeron se një person i infektuar me Covid-19 është ende i pambrojtur nga sëmundja. Një raport i botuar të hënën në revistën mjekësore “The Lancet” zbuloi se një 25-vjeçar në Nevada (shteti perëndimor i SHBA), i cili për herë të parë doli pozitiv me Covid-19 në prill, u infektua për herë të dytë në qershor me simptoma më të rënda që çuan në nevojën për t’i dhënë atij oksigjen.

Studiuesit thonë se ai ishte infektuar me dy lloje të ndryshme të koronavirusit të ri, por nuk ishin të sigurt pse infeksioni i dytë ishte më i rëndë. Ai mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj një doze më të lartë të virusit herën e dytë, ose lloji i mëvonshëm ishte më virulent (i fortë) se i pari.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>