Kriza e opioideve, 572 milionë dollarë gjobë ndaj kompanisë Johnson & Johnson

JohnsonNjë gjykatës në shtetin amerikan të Oklahomës ka urdhëruar kompaninë e ilaçeve Johnson & Johnson të paguajë 572 milion dollarë dëme ndaj shtetit për nxitjen e krizës së opioideve. Administrata Trump e ka deklaruar varësinë nga opioidet një krizë shëndetësore kombëtare. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se opioidet kanë shkaktuar vdekjen e afro 400,000 njerëzve gjatë 20 viteve të fundit.

“Kriza e opioideve është një rrezik dhe kërcënim i menjëhershëm për banorët e Oklahomës. Vendimi im përcakton se fushata e gabuar dhe reklamimi i opioideve nga kompania Johnson & Johnson krijuan një shqetësim duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e mijëra banorëve të Oklahomës”, tha gjykatësi Thad Balkman.

Johnson & Johnson është kompania e parë që gjykohet për atë që shteti i Oklahomës thotë se ishte një “fushatë cinike, mashtruese multi-miliarda dollarëshe për larjen e trurit.” Shteti tha se J&J i reklamonte opioidet si një “ilaç magjik” tek mjekët, infermierët dhe farmacistët.

Avokatët e shtetit thanë se më shumë se 10,000 banorë të Oklahomës kanë vdekur që nga viti 2000 si rezultat i varësisë dhe mbidozës të qetësuesve sintetikë.

“Në fund të fundit nuk mund të qëndrosh i ulur në zyrën e një korporate për 20 vjet dhe të mbifurnizosh vendin me opioide. Kjo drogë u shtua 10 herë dhe në të njëjtën kohë 15 herë më shumë njerëz gjetën vdekjen nga mbidoza e opioideve. Pra nuk kam asnjë dyshim se këto kompani e dinin se çfarë po ndodhte. Ata nuk mund të pushonin së nxjerri fitime. Kjo është arsyeja që janë përgjegjës”, thotë Mike Hunter, Prokuror i Përgjithshëm i Oklahomës.

Oklahoma kërkonte një dëmshpërblim prej 17 miliardë dollarësh nga Johnson dhe Johnson. Kompania thotë se do ta apelojë vendimin e gjykatësit.

Johnson & Johnson është një nga tre kompanitë farmaceutike të paditura nga Oklahoma, por e vetmja që doli në gjyq.

Shteti arriti marrëveshje disa-milionë dollarëshe me Perdue Pharma dhe Teva Pharmaceuticals Industries në fillim të këtij viti.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>