Nuhatja dhe Kujtesa – Përse erërat ngjallin kujtime

Sistemi limbikDisa aroma zgjojnë kujtime dhe shkaktojnë emocione të forta. Çfarë ndodh në tru – dhe si mjekët dhe sipërmarrësit përpiqen t`i përdorin këto njohuri.

 

Në atë moment, kur Swan ndjeu aromën e biskotave madeleine të sapopjekura dhe çajit të luleblirit, u drodh i hipnotizuar nga diçka e pazakontë që po ndodhte me të. Atë e përshkoi një lumturi e padëgjuar, që nuk lidhej me ndonjë arsye. (…) Dhe pastaj iu shfaq menjëherë kujtimi. Ishte shija e biskotës, që tezja e tij Léonie i jepte të dielën në mëngjes, pasi e zhyste më parë në çaj.”

Këto rreshta i shkroi shkrimtari francez Marsel Proust në romanin e tij “Në kërkim të kohës së humbur” në vitin 1910. Proust shprehte kështu atë që u ndodh shumë njerëzve: Një aromë të ringjall kujtimin e një ngjarjeje, që ka ndodhur shumë larg në të kaluarën. Ky fenomen quhet prej kohësh “efekti Proust” apo edhe “efekti Madeleine”.

 

Studiuesit e trurit në kërkim të efektit Proust

Po pse është kështu? Pse truri nxjerr papritur kujtime pothuajse të harruara dhe emocione të forta kur ne perceptojmë disa aroma? Çdo stimul potencialisht mund të ngjallë një kujtim apo një emocion”, thotë Christina Bermeitinger, psikologe dhe profesore në Universitetin e Hildesheim. “Kjo nuk vlen vetëm për aromat”. Një tingull specifik apo një shije mund të risjellë kujtime.

E megjithatë studimet shkencore tregojnë se nuhatja veçohet nga shqisat e tjera. Është vërtetuar se kujtimet e shkaktuara nga aromat të kthejnë shumë prapa në kohë, janë më intensive dhe shpesh më pozitive. Një vështrim brenda trurit jep të dhëna se pse është kështu.

 

Emocionet dhe aromat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën në tru

Perceptimi primar i nuhatjes në tru ndodhet pranë amigdalës”, shpjegon Bermeitinger. Ajo ndodhet në pjesën e poshtme të trurit dhe quhet edhe farë e bajames për shkak të formës së saj ovale. “Ky areal është me pak fjalë përgjegjës për emocionet”, thotë psikologia.

Emocionet si gëzimi dhe siguria janë çelësi për të kujtuar. Truri ynë gjykon aromat pikë së pari në bazë të këtyre emocioneve. “Aromat mund të krijojnë pastaj lidhje me kujtimet përmes emocioneve”, thotë Bermeitinger. Sepse atëherë aktivizohet hipokampusi fqinj. Ky është një rajon, ku truri ynë përpunon përvojat dhe formon kujtimet. Protagonisti Swann në romanin e Proustit pati një përvojë të ngjashme: kur ndjeu aromën e çajit dhe të biskotave të freskëta madeleine, një ndjenjë lumturie e përshkoi të tërin. Pastaj iu kujtua tezja.

 

Kujtime pozitive dhe negative

Por pse truri i lidh aromat në një mënyrë të tillë me emocionet dhe kujtimet? Studiuesit kanë qenë në mëdyshje për këtë për një kohë të gjatë. “Një shpjegim mund të jetë se erërat na mbajnë larg situatave të rrezikshme”, thotë Bermeitinger. Për shembull, tek ai që nuhat gaz ose diçka që digjet, ngjallet emocioni i “frikës” dhe kujtesa i tregon se çfarë të bëjë në raste të tilla. Rezultati: Ne reagojmë menjëherë, për shembull thërrasim zjarrfikësin ose thjesht ikim me vrap.

Erërat mund të ngjallin edhe emocione dhe kujtime negative. Kështu ndodh shpesh me njerëzit që vuajnë prej çrregullimeve nga stresi post-traumatik (PTSD).

Për shembull ka veteranë, që katapultohen papritmas në situatën e luftës nga era e benzinës dhe përjetojnë përsëri betejat, sikur të ishin përsëri aty.

Studiuesit po përpiqen gjithnjë e më shumë të përdorin njohuritë për aromat dhe kujtimet për të ndihmuar në këtë mënyrë njerëzit.

Për shembull, mjekët u japin pacientëve me PTSD që të nuhasin kokrrat e kafesë, kur shfaqet një kujtim negativ. Në këtë mënyrë ata duhet të qëndrojnë në të tashmen, në vend që të zhyten në të kaluarën.

Pra aromat mund të ngjallin kujtime të ndryshme intensive. Në të kundërt, humbja e nuhatjes mund të jetë një shenjë e hershme e humbjes së kujtesës dhe Alzheimerit.

Aromat mund të përdoren edhe për trajtimin e pacientëve me demencë”, shpjegon psikologu Bermeitinger. Në këtë mënyrë mjekët përpiqen të zgjojnë kujtimet e harruara të pacientëve.

 

Dhe përtej mjekësisë njerëzit dinë si të përfitojnë nga aromat. Në kriminologji, për shembull, erërat përdoren kur intervistohen dëshmitarët okularë. Hetuesit shpresojnë se kështu dëshmitarët do të mund të kujtojnë një krim në mënyrë më të detajuar. Ka po ashtu përpjekje për të përdorur aromat në industrinë e argëtimit. Ka pasur eksperimente me të ashtuquajturat kinema 4D, në të cilat shikuesit jo vetëm që mund ta shihnin filmin, por edhe ta nuhasin atë. Megjithatë kjo nuk u prit shumë mirë nga vizitorët: disa nuk nuhatën sa duhet aromat, tek disa të tjerë tjerë shkaktoi tështitje.

 

Nuhatje virtuale

Vitet e fundit janë zhvilluar syze të realitetit virtual (VR) që mund të lëshojnë edhe aroma. Për ta bërë këtë, inxhinierët i analizojnë aromat në bazë të përbërësve të tyre kimikë dhe i prodhojnë artificialisht ato. Ato janë të paketuara në fishekë dhe më pas instalohen te syzet.

Ndërkohë ka syze që mund të lëshojnë aromat e trëndafilit apo të detit. Kështu bota VR mund të duket më emocionale dhe reale.

Megjithatë aromat artificiale nuk i afrohen dot ende aromave origjinale. Ndoshta më shumë do të na pëlqente të nuhasnim një buqetë me trëndafila ose një biskotë madeleine të sapopjekur.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>