OBSH: Vendet e varfëra ende nuk kanë mjaftueshëm vaksina kundër COVID

OBSH: Vendet e varfëra ende nuk kanë mjaftueshëm vaksina kundër COVIDDrejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dha sërish alarmin sa i përket mungesës së vaksinave kundër koronavirusit tek vendet me të ardhura të ulëta.

“Në nivel global, tani janë administruar 5.5 miliardë doza vaksinash. Por 80% e tyre janë administruar në vendet me të ardhura të larta dhe të mesme”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së.

Sipas tij, pavarësisht se të gjithë flasin për rëndësinë e vaksinave, janë marrë pak vendime për të trajtuar problemin e mungesave të dozave në vendet me të ardhura të ulëta.

“Vendet me të ardhura të larta kanë premtuar të dhurojnë më shumë se një miliardë doza, por më pak se 15% e këtyre dozave janë dhuruar. Prodhuesit kanë premtuar se do t’i japin përparësi programit “COVAX” për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta. Ne nuk duam më premtime. Ne duam vetëm vaksinat”, tha zoti Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kishin dhuruar më shumë se 110 milionë doza për më shumë se 60 vende të botës. OBSH, e cila kundërshton përdorimin e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, për shkak se shumë vende ende kanë mungesa të vaksinave, thotë se përdorimi i dozës përforëcuese të shtyhet përtej muajit shtator.

Por Izraeli u bë vendi i parë që ofroi dozën e tretë për banorët mbi 60 vjeç. Më pas autoritetet shëndetësore në Izrael zgjeruan programin duke përfshirë punëtorët e vijës së parë si dhe mosha e lejuar për dozën e tretë u ul në 40 vjeç.

“Unë jam shumë i lumtur që doza e tretë u lejua për moshën 40 vjeç e sipër. Isha në pritje”, thotë një banore e Jeruzalemit.

Në fillim të këtij muaji, Franca gjithashtu ofroi dozë e tretë të vaksinës për njerëzit mbi 65 vjeç si dhe për ata me probleme shëndetësore.

“Me kalimin e kohës, ka një rënie të antitrupave për njerëzit që janë vaksinuar gjashtë muaj më parë. Doza e tretë rrit nivelin e antitrupave për ata që janë në rrezik, sidomos njerëzit me imunitet të dobët dhe për njerëzit e moshuar”, thotë Sisley Tatoguen, studente mjekësie

Ndërkohë edhe Kanadaja dhe Gjermania kanë njoftuar se do të nisnin programe të ngjashme vaksnimi, për të dhënë dozën e tretë të vaksinës.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>