Pfizer kërkon miratimin e FDA-së për përdorimin e vaksinës COVID-19 për fëmijët 5-11 vjeç

Pfizer vaccine Kompania Pfizer i kërkoi qeverisë amerikane të enjten të lejojë përdorimin e vaksinës së saj kundër COVID-19 tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, dhe nëse rregullatorët bien dakord, imunizimet mund të fillojnë brenda disa javësh.

Shumë prindër dhe pediatër po kërkojnë mbrojtje për fëmijët nën12 vjeç, kufiri i tanishëm i moshës së lejuar për të marrë vaksinën e Pfizer-it dhe partnerit të saj gjerman BioNTech. Fëmijët e kësaj grup-moshe ka raste që sëmuren rëndë, por po ashtu mbajtja e tyre në shkollë, mund të jetë sfiduese ndërsa koronavirusi vazhdon të jetë problem në komunitetet me shkallë të ulët të vaksinimit.

Pfizeri njoftoi në Twitter se kishte paraqitur zyrtarisht kërkesën për miratim në Administratën e Ushqimit dhe Barnave, FDA.

FDA do të duhet të vendosë nëse ka prova të mjaftueshme se vaksinat janë të sigurta dhe veprojnë për të mbrojtur fëmijët më të vegjël, siç bëjnë për adoleshentët dhe të rriturit. Një panel i pavarur ekspertësh do të debatojë mbi provat më 26 tetor.

Një ndryshim i madh – Pfizer thotë se hulumtimet tregon se fëmijët më të vegjël, duhet të marrin vetëm një të tretën e dozës së vaksinës, që marrin tani grupmoshat e tjera. Sipas provave, pas dozës së dytë, fëmijët 5 deri në 11 vjeç, zhvilluan të njejtin nivel anti-trupash sa adoleshentët dhe të rinjtë, që marrin doza të plota.

Ndërsa fëmijët janë më pak të rrezikuar nga forma e rëndë e sëmundjes, ose vdekja, sesa më të moshuarit, COVID-19 ndonjëherë shkakton vdekje tek fëmijët dhe rastet tek të rinjtë janë rritur me shpejtësi, ndërsa varianti Delta është bërë dominues në ShBA.

Pfizer kreu prova me dozën më të ulët të vaksinës tek 2,268 vullnetarë të grupmoshës 5 deri në 11 vjeç dhe tha se ajo nuk kishte efekte anësore serioze. Studimi nuk është mjaft i madh për të zbuluar ndonjë efekt anësor jashtëzakonisht të rrallë, siç është inflamacioni i zemrës, që ndonjëherë ndodh pas dozës së dytë të vaksinës, kryesisht tek të rinjtë.

Nëse FDA autorizon përdorimin urgjent të dozës për fëmijët, ka një pengesë tjetër, para se të fillojnë vaksinimet për këtë grupmoshë. Këshilltarët e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) duhet të rekomandojnë vaksinimin për të rinjtë dhe më pas CDC-ja është ajo që do të marrë vendimin përfundimtar.

Për të shmangur ngatërresat me dozën e duhur për fëmijët, Pfizer po planifikon që flakonët që përmbajnë dozën më vogël të kenë mbishkrim të posaçëm për përdorim pediatrik.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>